Kriza për presidentin, Majko: Kosova rrezikon të futet në paradhomën e shteteve të dështuara

Pandeli Majko ka reaguar lidhur me krizën politike në Kosovë dhe bllokadën rreth zgjedhjes së presidentit, duke shprehur shqetësim për pasojat që mund të ketë situata aktuale.
Ish-kryeministri i Shqipërisë e ka cilësuar zgjedhjen e presidentit në Prishtinë si një “lodër vetëvrasëse”, ndërsa ka paralajmëruar se përplasjet politike po e pamundësojnë gjetjen e një zgjidhjeje për krizën institucionale.
Majko ka thënë se mekanizmi i fundit për zgjidhjen e krizës, përmes zgjedhjeve të parakohshme, po rrezikon të “vritet” nga situata e krijuar politike.
“Situata e krijuar në politikën e Kosovës po ‘vret’ mekanizmin e fundit për gjetjen e zgjidhjes së krizës! Ky mekanizëm është i lidhur me zgjedhjet e parakohshme!”, ka shkruar Majko.
Sipas tij, rezultati i zgjedhjeve ka mbetur i “ngrirë” për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
“Votuesit kanë ‘ngrirë’ rezultatet dhe krizën e mosmarrëveshjes! Në kutinë e votimit, Kosova po mbetet jetime!”, ka deklaruar ai.
Majko ka paralajmëruar se vazhdimi i kësaj situate mund ta çojë Kosovën drejt një gjendjeje të rëndë institucionale.
“Kosova rrezikon, seriozisht, të hyjë në paradhomën e shteteve të dështuar!”, ka shkruar ai.
Në fund, ish-kryeministri shqiptar ka thënë se shpresa e fundit mbetet lodhja nga ideja se dështimi i njëri-tjetrit mund të shërbejë si zgjidhje.
“Errësira e vërtetë nuk është ajo që njohim, por bindja se drita nuk do të vijë!”, ka përfunduar Majko.


































