Ibrahima Konate pritet të jetë një nga emrat më të nxehtë të afatit kalimtar të verës, pasi ka vendosur të mos rinovojë kontratën e tij me Liverpoolin.

Mbrojtësi francez do të largohet nga “Anfield” në përfundim të marrëveshjes aktuale, duke i dhënë fund negociatave të gjata me klubin anglez. Bisedimet mes palëve në një moment dukeshin pranë marrëveshjes, por në javët e fundit kanë dështuar plotësisht.


Vendimi i Konates e bën atë një nga futbollistët më të kërkuar në tregun evropian. Sipas raportimeve, vlera e tij si lojtar i lirë llogaritet rreth 50 milionë euro, duke e vendosur përpara emrave të njohur si Dusan Vlahovic dhe Bernardo Silva në listën e lojtarëve që mund të transferohen pa pagesë.

Interesimi për francezin tashmë ka marrë përmasa serioze. Sipas Sky Sports, Real Madridi, Bayern Munichu dhe Chelsea kanë nisur kontaktet e para me agjentin e lojtarit për të mësuar kushtet e një transferimi të mundshëm.

Real Madridi e ka monitoruar prej muajsh qendërmbrojtësin dhe e konsideron atë si një përforcim ideal për repartin defensiv. “Los Blancos” synojnë të transferojnë të paktën një mbrojtës qendror gjatë kësaj vere, ndërsa mundësia për të siguruar një lojtar të nivelit të Konates pa paguar dëmshpërblim shihet si një rast i artë.

Megjithatë, konkurrenca pritet të jetë e fortë. Bayern Munichu dhe Chelsea janë gjithashtu të gatshëm të futen fuqishëm në garë, ndërsa interesimi për francezin vazhdon të rritet edhe nga klube të tjera evropiane.

Konate ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Liverpoolit këtë sezon, duke regjistruar mbi 4 mijë minuta në të gjitha garat. Tani ai ndodhet në qendër të një prej betejave më të mëdha të merkatos së verës, me gjigantët evropianë që po luftojnë për firmën e tij./Telegrafi/

telegrafi sport app