LAJMI I FUNDIT:

Trajneri i Bad News Eagles, Klesti ‘stikle’ Kola konfirmon largimin me një letër emocionuese

Trajneri i Bad News Eagles, Klesti ‘stikle’ Kola konfirmon largimin me një letër emocionuese
(Foto: HLTV)

Ekipi shqiptar Bad News Eagles ka ndarë rrugët me trajnerin e tyre Klesti ‘stikle’ Kola, këtë e ka konfirmuar ky i fundit me një letër emocionuese në rrjetet sociale.

Siç duket ky ndryshim vjen pasi lojtarët dhe trajneri kanë pasur vizione të ndryshme rreth të ardhmes së ekipit.


Bad News Eagles së bashku me stikle-n si trajner kanë arritur që të shkruajnë historinë duke u kualifikuar në dy turne Major.

Tani stikle pas largimit nga Bad News Eagles do të jetë jashtë skenës së CS:GO për një kohë siç duket, dhe do t’i kushtoj rendësi më shumë shëndetit mental.

“Unë kam vendosur për sezonin e ardhshëm që të ndahem me ekipin e Bad News Eagles. Vendimi vjen pasi kemi vizione dhe aspirata të ndryshme për të ardhmen e ekipit. Mendoj se do të jetë një ndryshim i mirë për të dyja palët për të çuar më tej zhvillimet përkatëse”.

“Ne jemi rritur së bashku dhe kemi arritur atë që disa mendonin se ishte e pamundur, por kjo nuk do të thotë se është fundi për asnjërin prej nesh, ai mund të jetë thjesht fillimi i diçkaje më të madhe. I vlerësoj të gjitha momentet që përjetuam së bashku me ekipin, tifozët, familjen dhe miqtë e ngushtë dhe nuk do t’i harroj kurrë për pjesën tjetër të jetës sime”.

“Do ta marr këtë pushim për t’u kujdesur për shëndetin tim fizik pasi është përkeqësuar me gjithë stresin dhe ngarkesën e punës që duhet të duroja gjatë kësaj kohe. Ka qenë një përvojë mahnitëse, por shumë e lodhshme që nga fillimi i vitit 2022.

Duhet të punosh si trajner, menaxher dhe menaxher i mediave sociale në të njëjtën kohë dhe të mbash një ekip dhe organizatë funksionale në të njëjtën kohë. Kam mësuar shumë këtë vit dhe sigurisht që kam bërë gabime gjatë rrugës, por kjo është e bukura e saj. Ajo quhet rritje”

“Në javët në vijim do të bëj një operacion FESS që më ka shqetësuar për një kohë të gjatë, por nuk kam pasur kurrë hapësirën kohore për t’u kujdesur për të për shkak të angazhimeve të ekipit. Pasi të përfundoj rikuperimin, do të filloj të transmetoj rregullisht në twitch dhe do të kem disa lajme për të ardhmen time.

Faleminderit të gjithëve që më kanë treguar mbështetje, me të vërtetë do të thotë shumë dhe kam një respekt të madh për të gjithë ata që më kanë ndihmuar gjatë rrugës”.

Ndërkohë që stikle është larguar, ende nuk dihet se kush do të jetë trajneri i radhës i ekipit shqiptar Bad News Eagles. /Telegrafi/