eksperti-banner

Carlos Tevez ka zbuluar se ishte shumë pranë transferimit te Real Madridi në vitin 2009, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit për shkak të largimit të presidentit Ramon Calderon.

Ish-sulmuesi argjentinas përfundoi te Manchester City pas dy sezonesh të suksesshme me Manchester Unitedin, ku fitoi gjashtë trofe, përfshirë dy tituj të Liga Premier dhe Ligën e Kampionëve.


Paraqitjet e tij me “Djajtë e Kuq” tërhoqën vëmendjen e klubeve më të mëdha të Evropës, ndërsa Real Madridi ishte shumë pranë sigurimit të firmës së tij.

“Kur duhej të nënshkruaja me Real Madridin, ishte pikërisht kur po largohesha nga Manchester United për te Manchester City”, tha Tevez për ESPN.

“Fola me Calderonin në orën tre të mëngjesit. Kishim finalizuar gjithçka. Mijatovic ishte drejtor sportiv në atë kohë.

“Ishim në shtëpi duke darkuar dhe e mbyllëm kontratën pas një ndeshjeje me Manchester Unitedin.

“Nuk mund të thoshim asgjë. E lamë kontratën te noteri për ta prezantuar më pas, por Calderon u shkarkua dhe të gjithë u larguan”, zbuloi argjentinasi.

Pas dështimit të transferimit në “Santiago Bernabeu”, Tevez vendosi t’i bashkohej rivalit lokal të Unitedit, Manchester Cityt, ku u shndërrua në një nga figurat kryesore të projektit të ri të klubit.

Në sezonin e tij të parë në Liga Premier me Cityn, ai kontribuoi direkt në 30 gola, duke shënuar 23 herë dhe duke dhuruar shtatë asistime. Një vit më vonë realizoi 20 gola të tjerë në kampionat, duke fituar edhe “Këpucën e Artë”.

Tevez luajti një rol të rëndësishëm edhe në fitimin e titullit historik të Liga Premier nga Manchester City në sezonin 2011/12.

Më pas, ai u transferua te Juventusi, përpara se të rikthehej në Argjentinë për të veshur sërish fanellën e Boca Juniors./Telegrafi/

telegrafi sport app