Stephen Baldwin zbulon arsyen pse u largua nga Hollywoodi: Nuk doja të isha Tom Cruise

Aktori Stephen Baldwin ka treguar arsyen e vërtetë pse u tërhoq nga Hollywoodi në kulmin e karrierës së tij, pavarësisht se ishte në rrugën për t’u bërë një nga yjet më të mëdhenj të industrisë së filmit.
Pas suksesit me filmin fitues të çmimit Oscar, “The Usual Suspects” në vitin 1995, Baldwin vendosi të largohej gradualisht nga vëmendja publike, pasi iu afrua më shumë besimit fetar dhe u bë një i krishterë i rilindur në fillim të viteve 2000.
Në një intervistë për revistën People, aktori 60-vjeçar tha se nuk e shihte veten duke ndjekur rrugën e yjeve si Tom Cruise.

“Nuk doja të isha Tom Cruise dhe të më duhej të bëja 100 milionë dollarë në arkë. Do të preferoja të isha një njeri i zakonshëm nga Massapequa”, u shpreh ai.
Baldwin tregoi se pikënisja e ndryshimit të tij ishte një eksperiencë fetare që e çoi drejt një angazhimi të ri.

Ai nisi të merrte pjesë në aktivitete të komuniteteve të krishtera, ku u frymëzua nga një grup skateboardistësh që kombinonin sportin me mesazhe fetare.
Kjo përvojë e shtyu të krijonte projektin “Livin It”, një video me muzikë të krishterë dhe mesazhe ungjillizuese, e cila pati sukses dhe u shpërnda në mijëra kopje.
Më pas ai la Hollywoodin dhe udhëtoi me grupin e skateboardistëve, duke vizituar rreth 125 kisha për katër vite.

Gjatë viteve, Baldwin është fokusuar në projekte me tematikë fetare dhe ka thënë se dëshiron të përdorë platformën dhe mundësitë e tij për të treguar histori që lidhen me besimin e tij. /Telegrafi/




















































