LAJMI I FUNDIT:

Shkëlqimi i Jetmir Topallit në futbollin kosovar dhe transferimi në Superligën e Turqisë – Ballkani bëri gjest të madh për t’ia realizuar ëndrrën atij

Shkëlqimi i Jetmir Topallit në futbollin kosovar dhe transferimi në Superligën e Turqisë  – Ballkani bëri gjest të madh për t’ia realizuar ëndrrën atij

Jetmir Topalli është bërë futbollisti i parë nga Superliga e Kosovës që këtë vit transferohet në një kampionat të madh.

Sulmuesi nga Kaçaniku ka bërë një sezon të madh me Ballkanin në Ipko Superligë, duke shënuar shtatë gola dhe duke asistuar në një tjetër.

Topalli ishte i pandalshëm në krahun e djathtë të sulmit dhe mbrojtësit kundërshtar shpesh herë turpëroheshin nga aftësitë e tij tekniko taktike.

22-vjeçari iu bashkua Ballkanit dy vite më parë nga Vushtrria, ku klubi nga Suhareka është dashur të paguajë dëmshpërblim për ta pasur në radhët e veta.

Ballkani kishte paguar pesë mijë euro në mënyrë që ta marrë Topallin në skuadër, pasi lojtari kishte kontratë me vushtrriasit.

Tani lojtari ka kompletuar transferimin tek skuadra turke Yeni Malatyaspor, ku ka nënshkruar kontratë tri vjeçare.

Fillimet e karrierës

I lindur dhe rritur në një qytet të vogël, por me traditë të madhe si Kaçaniku, Topalli ka filluar qysh në moshë të re të merret me futboll.

Jetmir Topalli te Galatasaray Kosova

Hapat e parë të futbollit djaloshi kaçanikas i mori në shkollën e futbollit Galatasaray Kosova në vitin 2013.

Një vit më vonë Topalli iu bashkua 2 Korrikut, një klub që i jep hapësira të mëdha lojtarëve të talentuar dhe në klubin kryeqytetas qëndroi për tri vite.

Në vitin 2017 sulmuesi këmbëshpejtë shkoi në Vushtrri, për të lënë gjurmë edhe në qytetin më të vjetër në Kosovë.

Te Vushtrria Topalli ishte fantastik me golat e asistimet e tij, duke bërë që gjithë skuadrat kosovare të joshen nga aftësitë e tij.

Kalimi i bujshëm te Ballkani, suharekasit paguan dëmshpërblim për të

Jetmir Topalli kishte shkëlqyer me Vushtrrinë në Ligën e Parë të Kosovës me golat e asistimet e tij.

Në vitin 2018 ai u bë njëri nga lojtarët më të kërkuar nga skuadrat kosovare, por problemi qëndronte tek kontrata e tij me vushtrriasit dhe ekipet tjera që hezitonin të paguanin për të.

Ballkani që u fut në elitën e futbollit kosovar pas shumë viteve nuk hezitoi që ta merrte lojtarin.

‘Xhebrailat’ të udhëhequr nga presidenti Arsim Kabashi vendosën të paguanin dëmshpërblimin prej pesë mijë eurove dhe ta merrnin në radhët e veta sulmuesin e talentuar.

Ky investim i Ballkanit doli të ishte i mirë, pasi Topalli qysh në vitin e tij të parë me Ballkanin tregoi formë të lartë.

Kaçanikasi shënoi 11 gola për suharekasit në vitin e tij të parë duke i shpëtuar nga rënia në elitë.

22-vjeçari luajti edhe në garat evropiane, pasi Ballkani e huazoi për ta ndihmuar Feronikelin në ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Këtë vit Topalli ishte ndër më të mirët te ‘portokallinjtë’, me golat e asistimet e tij, ndërsa ndihmoi klubin e tij që të shkoj deri në finale të Kupës së Kosovës dhe të jetë në garë për titullin e kampionit deri në xhiron e parafundit.

U bë transferimi i parë nga Kosova në një kampionat të madh në vitin 2020

Falë paraqitjeve fantastike të tij këtë edicion në Superligën e Kosovës, Topalli zgjoi interesimin e shumë skuadrave jashtë vendit.

Ai muaj më parë kishte zgjatur bashkëpunimin me Ballkanin deri në verën e vitit 2021, por që kësaj radhe drejtuesit e klubit nuk e penguan atë.

Ballkani në krye me presidentin Arsim Kabashi dhe drejtorët Idriz Hajrizi e Arben Osmani i kanë përkrahur vazhdimisht talentet e rinj, duke mos harruar edhe trajnerin Ismet Munishi.

Për Topallin pati shumë interesime, por duke parë krizën që ka kapluar gjitha klubet e botës, Ballkani bëri një gjest të madh.

Telegrafi merr vesh që klubi nga Suhareka e ka lejuar largimin e Topallit në drejtim të Yeni Malatyasporit pa përfituar asnjë para, vetëm e vetëm që t’ia realizojnë ëndrrën evropiane tanimë ish-sulmuesit të tyre.

Edhe pse marrëveshja nuk është bërë publike nga asnjëra palë, besohet se Ballkani do të përfitojë një pjesë të parave nga transferimi i ardhshëm i Topallit.

Topalli ka kryer me sukses vizitat mjekësore tek klubi turk dhe tanimë është prezantuar si futbollist i ri i Malatyasporit.

22-vjeçari ka nënshkruar një kontratë tri vjeçare me këtë klub duke bërë hapin e madh në karrierën e tij.

E zhvilloi një ndeshje me Kosovën, por synon të bëhet anëtar i rregullt i Përfaqësueses A

Jetmir Topalli ka qenë fillimisht pjesë e grupmoshave të Kombëtares së Shqipërisë.

Më vonë ai veshi edhe fanellën e ekipeve zinxhirë të Kosovës, para se të bëjë debutimin në Përfaqësuesen A në janar të këtij viti.

Ishte 12 janari i vitit 2020 kur Topalli luajti ndeshjen e parë me Kosovën A, ndaj Suedisë në një takim miqësor të zhvilluar në Katar.

Topalli u inkuadrua në lojë në pjesën e dytë dhe ishte ndër më të mirët në fushë me depërtimet e tij.

Me të nënshkruar kontratën me Yeni Malatyaspor, Topalli tha se qëllimi i tij është të bëhet një anëtar i rregullt i Përfaqësueses së Kosovës.

“Shpresoj të kem shëndet të mirë dhe fat, ku nëse luaj rregullisht dua të marrë ftesë nga Përfaqësuesja A e Kosovës”, ka deklaruar Topalli.

Ai ndër të tjera ka falënderuar edhe presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashin si dhe klubin suharekas dhe klubin e tij të ri për gjetjen e gjuhës së përbashkët që ky transferim të realizohet me sukses.

Me transferimin e Topallit te Malatyaspor, ai bëhet lojtari i katër nga Kosova në Superligën e Turqisë, pasi aty janë edhe Vedat Muriqi (Fenerbahce) dhe Loret Sadiku & Florent Hadergjonaj (Kasimpasa).

Por numri i futbollistëve shqiptarë në elitën e futbollit turk mund të shtohet edhe më shumë, pasi emra si Taulant Xhaka, Blend Baftiu, Frederik Veseli, Ermir Lenjani apo Xherdan Shaqiri janë duke u kërkuar nga skuadrat turke. /Telegrafi/

Në trend Sport

Më shumë
“Ai na tha shumë qartë”, drejtori i Bayernit jep një përditësim të madh për të ardhmen e Kimmich

“Ai na tha shumë qartë”, drejtori i Bayernit jep një përditësim të madh për të ardhmen e Kimmich

Bundesliga
Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Lojtari i Arsenalit merr një 'kontratë rekord' që nuk është parë më parë në Emirates

Premier League
Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Për tre muaj, 50 baste: Publikohet videoja ku Tonali mezi pret të ndëshkohet me karton të verdhë

Premier League
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Liverpooli heq dorë nga Xabi Alonso, Klopp do të pasohet nga 39-vjeçari pak i njohur

Premier League
Konfirmohet dëshira e Neymar Jr për t’u rikthyer në Barcelonë

Konfirmohet dëshira e Neymar Jr për t’u rikthyer në Barcelonë

La Liga
Kalo në kategori