LAJMI I FUNDIT:

Sekuestrohen në Shkodër pasuritë e të dënuarit në Itali për prostitucion

Sekuestrohen në Shkodër pasuritë e të dënuarit në Itali për prostitucion

Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar pasuritë e shtetasit K.N. i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Ky i fundit ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi u dënua me 13 vjet e 5 muaj burgim për veprën penale të ‘Shfrytëzimit të prostitucionit’.


“Kjo prokurori, regjistroi procedimin penal nr.1310/2020, për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.N., allias K.J., pas informacioneve të siguruara se ky shtetas, pasi ka fituar të ardhura të konsiderueshme si rrjedhojë e përfshirjes në veprimtari kriminale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe trafikimit të narkotikëve kryesisht në vendet e Bashkimit Evropian, ka filluar procesin e pastrimit të tyre në Republikën e Shqipërisë, nëpërmjet investimit në blerjen e pasurive të paluajtshme, automjeteve dhe hapjen e veprimtarive të ndryshme tregtare, në emër të tij ose personave të lidhur me të”-njofton prokuroria.

Sipas njoftimit rezultuar se pjesa më e madhe e pasurive janë blerë apo vendosur në emër të familjarëve dhe më pas janë shitur te persona të tretë, me qëllim mbulimin e gjurmëve dhe fshehjen e origjinës kriminale.

Konkretisht janë sekuestruar:

Pasuria me nr. 272/242 e llojit truall me sipërfaqe 420 m2, nga të cilat 139 m2 ndërtesë; dhe
Pasuria me nr.18/181, ZK 8597, e llojit njësi tregtare, me sipërfaqe 112.3 m2, me vlerë në treg rreth 500,000 (pesëqind mijë) euro.