Gërvalla: Sot kam deponuar Kallëzimin Penal ndaj Snezhana Paunoviq


Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se sot ka deponuar kallëzim penal ndaj ministres serbe, Snezhaba Paunoviq e cila ditë më parë deklaroi për “spastrimin etnik të Kosovës".
Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Republika e Kosovës nuk hesht dhe asnjëherë nuk përkulet para gjuhës së urrejtjes, thirrjes e nxitjes për përçarje dhe mosdurimit.
Sipas saj, nuk ka hapësirë për glorifikimin e spastrimit etnik, relativizimin e gjenocidit e krimeve monstruoze serbe dhe përhapjen e narrativave që synojnë cenimin e paqes, sigurisë dhe bashkëjetesës ndëretnike si dhe nxitjen e urrejtjes.
“Deklaratat publike që synojnë të justifikojnë spastrimin etnik dhe dëbimin e një populli nuk mund të trajtohen si retorikë e zakonshme politike. Ato mbajnë pasoja të rënda historike, juridike e njerëzore. Më 12 korrik 2026, gjatë një interviste të dhënë për emisionin ‘Neisprićano’ (shqip: E pathënë), në kuadër të medias serbe ‘Kurir’ e transmetuar edhe në kanalin Youtube, e dyshuara, në cilësinë e ministres në Qeverinë e Serbisë, ndër të tjera ka deklaruar: ‘Po të isha unë Sllobodan Millosheviçi, do ta kisha bërë spastrimin etnik të Kosovës në vitin 1998’ “, ka shkruar Gërvalla.
Tutje Gërvalla tha se ministrja serbe, trashëgimtare e denjë e Millosheviçit, vazhdon narrativen e papranueshme, e cila është e dënueshme nga secili rregull vendor dhe ndërkombëtar.
“Për këtë arsye, në cilësinë e Ministres së Drejtësisë kërkova nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që, në kuadër të kompetencave ligjore, të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe të procedojë tutje me aktakuzë dhe kërkesë për shqiptimin e dënimit nga Gjykata kompetente. Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera ndaj popullit tonë gjatë luftës në Kosovë. Mbi 10,000 civilë shqiptarë humbën jetën, 1,565 persona ende figurojnë të zhdukur, afër një milion qytetarë u dëbuan me dhunë, rreth 20,000 gra, burra e fëmijë u përdhunuan dhe mbi 100,000 shtëpi u shkatërruan dhe u dëmtuan rëndë. Këto ishin pasoja të një fushate sistematike të gjenocidit e spastrimit etnik të kryer nga regjimi serb në Kosovë, të shoqëruar me vrasje, dëbime, dhunë seksuale dhe trajtim çnjerëzor”, ka shkruar Gërvalla.
Gërvalla po ashtu tha se: “Në një Republikë demokratike si Kosova, përgjigjja ndaj gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së përçarjes është sundimi i ligjit. Institucionet e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësinë kushtetuese dhe detyrimin moral për të mbrojtur rendin kushtetues, dinjitetin e çdo qytetari të saj dhe vlerat themelore mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë: lirinë, demokracinë, paqen dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. /Telegrafi/






































