ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se është dorëzuar zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në vitet '90.

Sipas Kamberit, nisma është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të opozitës.


"Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik kanë iniciuar shkarkimin e ministres Paunoviq. Iniciativës sonë iu janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë, të cilët kanë nënshkruar nismën tonë të përbashkët", ka shkruar Kamberi.

Ai theksoi se gjithsej 53 deputetë të opozitës i kanë dorëzuar kryeministrit të Serbisë, Gjuro Macut, kërkesën që ta procedojë pa vonesë shkarkimin e ministres.

"Pesëdhjetë e tre deputetë të opozitës i kanë dorëzuar Kryeministrit Gjuro Macut një kërkesë zyrtare që, pa asnjë vonesë, t’i propozojë Kuvendit Popullor shkarkimin e ministres pas deklaratave të saj me të cilat ajo arsyetoi spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve nëntëdhjetë", thuhet në reagimin e Kamberit.

Sipas tij, kryeministri serb ka përgjegjësi politike dhe institucionale për të reaguar.

"Kryeministri ka përgjegjësi politike dhe institucionale të reagojë dhe të dëshmojë se në Qeverinë e Serbisë nuk ka vend për një ministre që mbron idetë e dëbimit të njerëzve mbi bazën e përkatësisë së tyre kombëtare", u shpreh ai.

Kamberi paralajmëroi se, nëse kryeministri refuzon të propozojë shkarkimin e Paunoviqit, ai do të mbajë përgjegjësi për vazhdimin e mandatit të saj dhe, sipas tij, për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë.

Deputeti shqiptar kritikoi gjithashtu partitë e pakicave kombëtare që janë pjesë e qeverisë serbe, duke thënë se ato nuk e mbështetën nismën për shkarkimin e ministres.

"Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit", përfundoi Kamberi.

Deklaratat e ministres Snezhana Paunoviq ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Qeveria në detyrë e Kosovës e ka shpallur atë person "non grata", duke ia ndaluar hyrjen në territorin e vendit, pasi ajo kishte bërë deklarata me të cilat justifikonte spastrimin etnik të shqiptarëve gjatë viteve të '90-ta.

Reagim pati edhe nga Bashkimi Evropian. Komisionarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, përsëriti dënimin e saj ndaj deklaratës së ministres të Qeverisë serbe, Snezhana Paunoviq, lidhur me “spastrimin etnik” në Kosovë dhe shprehu habinë që ajo vazhdon të mbetet ministre.

Kos u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në BE që të kenë parasysh se çdo fjalë e thënë ka peshë.

“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Ishte vërtet tronditëse të dëgjohej një deklaratë e tillë. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi komisionarja Kos.

Deklaratat e Paunoviqit u dënuan edhe nga Britania e Madhe, e cila i cilësoi ato si "të papranueshme". Ambasada britanike në Prishtinë theksoi se deklarata të tilla nxisin tensione dhe janë në kundërshtim me përpjekjet për paqe, stabilitet dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/