"A i besoni ende liderit tuaj?", "Kujt i besoni, VV-së apo PDK-së?" - përplasje mes Kërçelit dhe Ymerit


Zhvillimet e fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), pas nismës për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku dhe pezullimit të bisedimeve për formimin e institucioneve, kanë nxitur edhe përplasje publike në rrjetet sociale.
Një debat verbal ka shpërthyer në Facebook mes deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, dhe deputetes së LDK-së, Janina Ymeri.
Kërçeli e nisi me një postim ironizues për Ymerin dhe besimin ndaj kryetarit të partisë.
"Nuk e di a ka ardhur momenti që Janina Ymeri t’i shtrohet pyetja: A i besoni ende liderit tuaj?", shkroi ai.
Nuk vonoi shumë dhe Ymeri iu përgjigj publikisht, duke thënë se vazhdon t'u besojë organeve të LDK-së dhe kryetarit të saj.
"Momenti për besim ndaj organeve të partisë, përfshirë kryetarin, do ta ketë përgjigjen e njëjtë. I besoj përderisa jam anëtare e sidomos deputete e LDK-së, e të lartëshënuarit janë ende në pozitë me votë demokratike", shkroi Ymeri.
Në reagimin e saj, deputetja e LDK-së e pyeti Kërçelin se kujt i beson politikisht.
"Po ju kujt i besoni, Vetëvendosjes sot, apo Partisë Demokratike të Kosovës?", shkroi ajo.
Ymeri e akuzoi më tej Kërçelin për ndryshim të qëndrimeve politike dhe partive, duke pretenduar se ai më parë kishte qenë mbështetës i PDK-së.
"Me këto ndërrime partish që ke bërë, shefash e qëndrimesh, e di që nuk din as për politikë as për ideologji po mua e LDK-në kot e ke që na përfshin", thuhet në reagimin e saj.
Ajo e përmbylli postimin duke deklaruar se "Lidhja Demokratike e Kosovës për tipat si ti është fushë e paarritur", duke i kërkuar Kërçelit të merret me çështje të tjera.
Pas këtij reagimi, Kërçeli publikoi një tjetër postim, ku mohoi akuzat për ndërrim partish dhe paralajmëroi mundësinë e padisë.
"Janina Ymeri, nëse mendon se me shpifje mund të më zbrapsësh, e ke shumë gabim. Madje, për shpifjen lidhur me 'ndërrimin e partive', mund të përballesh edhe me padi", shkroi ai.
Deputeti i LVV-së tha se që nga hyrja e Lëvizjes Vetëvendosje në garën politike, mbështetja e tij ka qenë gjithmonë publike për këtë subjekt.
"Që nga momenti kur Lëvizja Vetëvendosje ka hyrë në garë politike, mbështetja ime ka qenë gjithmonë e drejtpërdrejtë dhe publike vetëm për Lëvizjen Vetëvendosje", deklaroi Kërçeli.
Ai ngriti edhe pyetje lidhur me angazhimin publik të Ymerit, duke përmendur të afërm të saj dhe çështjen e energjisë.
"Tani kam një pyetje publike: A është angazhimi yt vërtet i sinqertë? A u ke treguar qytetarëve se deri para disa muajsh vëllai yt ka qenë drejtor në një kompani të themeluar për tregtim të energjisë?", shkroi ai.
Përplasja vjen në një kohë tensionesh brenda LDK-së, pasi kryetari Lumir Abdixhiku njoftoi se po pezullon angazhimet për formimin e institucioneve, pas nismës për shkarkimin e tij nga posti i kryetarit të partisë. /Telegrafi/





































