Në prag të seancës së së enjtes për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë fituar ulëse në Kuvend, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e institucioneve të reja.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për Telegrafin ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit.


PDK ka refuzuar pjesëmarrjen duke përsëritur qëndrimin se do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Kryetari i partisë, Bedri Hamza, në përgjigjen e tij ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për formimin e institucioneve të reja.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti, duke konfirmuar qëndrimin e saj politik për këtë proces.