LAJMI I FUNDIT:

Roma dhe Interi ndajnë pikët në kryendeshjen e javës

Roma dhe Interi ndajnë pikët në kryendeshjen e javës
Marcelo Brozovic dhe Nicolo' Zaniolo (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Stadio Olimpico ka qenë arena e kryendeshjes së javës së 14-të në Serie A, ku janë takuar Roma dhe Interi. Ndeshja u mbyll me rezultat 2-2.

Keita Balde, Ivan Perisic e Alessandro Florenzi, i patën rastet e tyre që nuk i konkretizuan në gjysmën e parë të lojës.


Keita Balde e zhbllokoi rezultatin (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Rezultati u zhbllokua në minutën e 37-të, kur pas një harkimi të Danilo D’Ambrosios në zonë, Keita Balde goditi me të parën për ta futur topin në rrjetë.

Në vazhdim, Samir Handanovic priti për mrekulli një gjuajtje të lirë të Aleksandar Kolarov dhe mysafirët shkuan në pushim me epërsi.

Mirëpo, vetëm disa minuta brenda pjesës së dytë (51′), Cengiz Under realizoi një gol shumë të bukur për t’i barazuar shifrat.

Festa e lojtarëve të Romës pas golit nga Cengiz Under (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Pas një harkimi nga këndi të Marcelo Brozovic, kapiteni Mauro Icardi kërceu më lartë për të shënuar me kokë (66′) dhe për t’ia kthyer Interit avantazhin.

Porse, Brozovic e ndali topin me dorë në zonë dhe penalltinë e akorduar e konvertoi në gol Aleksandar Kolarov (74′).

Në minutat e mbetura, asnjëra nga skuadrat nuk ia doli që të shënonte, ashtu që i ndanë pikët nga kjo përballje.

Roma dhe Inter u ndanë pa fitues (Foto: Paolo Bruno/Getty Images/Guliver)

Roma mban vendin e shtatë në tabelë me 20 pikë të arkëtuara pas 14 javësh. Interi aktualisht pozicionohet në vend të dytë me 29 pikë (aq sa ka Napoli një pozitë më poshtë dhe një ndeshje më pak të zhvilluar).

Në xhiron e ardhshme, Nerëzzurrët zhvillojnë Derby d’Italia në shtëpi të Juventusit, derisa Giallorossët luajnë si mysafirë të Cagliarit. /Telegrafi/