eksperti-banner

Real Madridi vazhdon të jetë një nga protagonistët kryesorë të afatit kalimtar të verës, ndërsa presidenti Florentino Perez synon të ndërtojë një skuadër galaktike për sezonin e ardhshëm.

Pas transferimeve të rëndësishme të Ibrahima Konates, Denzel Dumfries, Marc Cucurellas dhe Bernardo Silvës, drejtuesit e klubit madrilen nuk kanë ndërmend të ndalen. Objektivi i radhës është përforcimi i repartit të mesfushës me një lojtar që mund t’i japë më shumë kreativitet dhe ekuilibër skuadrës së drejtuar nga Jose Mourinho.


Sipas raportimeve, stafi teknik ka identifikuar tre emra si kandidatët kryesorë për këtë rol: Enzo Fernandez, Mateus Fernandes dhe Kees Smit. Bëhet fjalë për tre profile të ndryshme, si për nga mosha ashtu edhe për nga kostoja e transferimit, por që konsiderohen të aftë për të veshur fanellën e klubit më të titulluar në Evropë.

Emri që tërheq më shumë vëmendje është pa dyshim ai i Enzo Fernandez. Mesfushori argjentinas 25-vjeçar ka konfirmuar statusin e tij si një nga organizatorët më të mirë të lojës në futbollin evropian pas paraqitjeve të shkëlqyera me Chelsean në Ligën Premier.

Megjithatë, transferimi i tij paraqitet jashtëzakonisht i vështirë. Chelsea nuk dëshiron të humbasë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe nuk e ka në plan shitjen e zëvendëskapitenit të saj.

Për këtë arsye, klubi londinez pritet të kërkojë rreth 140 milionë euro për kartonin e Fernandezit.

Një shumë e tillë do ta detyronte Perezin të analizojë me kujdes mundësinë e realizimit të operacionit, veçanërisht duke marrë parasysh rregullat e ‘Fair Play Financiar’ dhe investimet e mëdha që Real Madridi ka bërë tashmë gjatë kësaj vere.

Pavarësisht vështirësive, drejtuesit madrilenë vazhdojnë të monitorojnë situatën e Enzo Fernandezit, ndërsa Mateus Fernandes dhe Kees Smit mbeten alternativa serioze në rast se negociatat për argjentinasin rezultojnë të pamundura./Telegrafi/

telegrafi sport app