LAJMI I FUNDIT:

Ramush Haradinaj përgëzon festivalet “Sunny Hill” dhe “DokuFest” që po e renditin Kosovën në hartën e ngjarjeve globale

Ramush Haradinaj përgëzon festivalet “Sunny Hill” dhe “DokuFest” që po e renditin Kosovën në hartën e ngjarjeve globale

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në një status të publikuar në rrjetin social Facebook së fundmi, ka përgëzuar festivalet që po zhvillohen në Kosovë.

Në veçanti ai ka cekur festivalet “Sunny Hill” dhe “Dokufest”, të cilat ndër të tjerash po sjellin emra me famë ndërkombëtare në Kosovë, dhe po bëjnë që emri i shtetit të përmendet në mediat e huaja.


“Përmes festivaleve ndërkombëtare, si “Sunny Hill” dhe DokuFest, Kosova po dëshmon vlera të mëdha në kulturë dhe aftësi në organizime me peshë globale. Mbresëlënës fakti se angazhimi i pandalshëm i krijuesve të këtyre festivaleve, po mbledh rreth vetës turistë të shumtë, adhurues dhe njerëz të njohur të botës së filmit e të muzikës dhe e rëndit Kosovën në hartën e ngjarjeve të mëdha globale. Përgëzoj këngëtaren tonë me famë botërore Dua Lipa dhe organizatorët e DokuFest, që po iu ofrojnë qytetarëve të këtij vendi një atmosferë të gjallë e përplot entuziazëm. Falemnderit të gjithë atyre që na bëjnë krenarë me veprat e tyre”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Përndryshe, si “Sunny Hill” ashtu edhe “DokuFest” kanë nisur edicionin e tyre të ri sot (e premte).

Miley Cyrus dhe Calvin Harris janë dy emrat më me peshë ndërkombëtare që këto ditë kanë zbarkuar në Kosovë.

Ndërkohë, po në Prishtinë gjendet edhe Dua Lipa, e cila po zhvillon aktivitetet e saj humanitare në kuadër të fondacioni dhe festivalit “Sunny Hill”. /Telegrafi/

Foto: Dua Lipa/Instagram