Reperi amerikan Sean "Diddy" Combs do të lirohet nga burgu më herët sesa ishte planifikuar fillimisht, pavarësisht se së fundmi u përfshi në një përleshje me një të burgosur tjetër, incident që thuhet se e çoi përkohësisht në izolim.

Combs, 56 vjeç, u shpall i pafajshëm korrikun e kaluar për akuzat më të rënda, përfshirë trafikimin e qenieve njerëzore dhe reketimin, por u dënua për organizim të prostitucionit. Sipas të dhënave më të fundit, ai pritet të lirohet më 24 janar 2028.


Fillimisht, lirimi i tij ishte parashikuar për 8 maj 2028, por më pas data u shty për 4 qershor 2028, pas pretendimeve se kishte konsumuar alkool në burg dhe kishte kryer një telefonatë të paautorizuar. Avokati i tij i mohoi këto akuza.

Në tetor të vitit të kaluar, data u afrua në 25 prill 2028, në bazë të ligjit amerikan FIRST STEP Act, një reformë e sistemit penitenciar e miratuar gjatë mandatit të Donald Trump, e cila u mundësoi mijëra të dënuarve lirim më të hershëm.

Më pas data u ndryshua sërish në 15 prill 2028, ndërsa muajin e kaluar u shty në 23 shkurt 2028. Tashmë, sipas regjistrave të fundit të Byrosë Federale të Burgjeve, lirimi i tij është caktuar për 24 janar 2028.

Foto: EPA

Autoritetet nuk kanë dhënë shpjegime për ndryshimin më të fundit të datës.

"Për arsye privatësie dhe sigurie, nuk komentojmë kushtet e qëndrimit të të burgosurve, planet për lirimin e tyre apo arsyet e ndryshimit të datave të lirimit", deklaroi Byroja Federale e Burgjeve për Daily Mail.

Lajmi për shkurtimin e dënimit vjen vetëm një javë pasi Combs u përfshi në një përleshje me një të burgosur tjetër në burgun federal Fort Dix në New Jersey.

Sipas raportimit të TMZ, që citon disa burime, reperi e sulmoi të burgosurin tjetër pas një ofendimi verbal. Situata më pas degradoi në përplasje fizike, derisa rojet ndërhynë dhe i ndanë.

Pas incidentit, Combs raportohet se u vendos në izolim, megjithëse zëdhënësi i burgut Fort Dix refuzoi të konfirmojë nëse ngjarja kishte ndodhur.

"Nuk publikojmë informacione mbi vendosjen e të burgosurve dhe nuk komentojmë nëse ndonjëri prej tyre është subjekt i hetimeve apo masave disiplinore", tha zëdhënësi për Daily Mail. /Telegrafi/