Norma e inflacionit në Britani të Madhe është rritur në nivelin më të lartë që nga fillimi i viteve 1980.

Pas rritjes rekord të faturave të gazit dhe energjisë elektrike në muajin prill, inflacioni është më i larti në grupin e vendeve më të industrializuara të botës, i njohur si G7, raporton theguardian.

Pasi ka arritur shifrat prej 9 për qind muajin e kaluar, kjo ka bërë që të jetë mbi normën e 8.3 për qind të SHBA-së dhe të 7.4 për qind të Gjermanisë.

Japonia, një ekonomi e karakterizuar nga inflacion i ulët për dekada falë plakjes së popullsisë, ka normën më të ulët me 1.2 për qind, transmeton Telegrafi.

Këtu janë disa nga arsyet pse çmimet po rriten më shpejt në shtetin britanik sesa në ekonomitë e tjera të mëdha të botës.

Energjia

Britania është vend që importon energji, e cila gjë do të thotë se është e ekspozuar ndaj goditjeve globale të çmimeve. Rritja e çmimeve të naftës dhe gazit me rastin e bllokimeve shkaku i pandemisë dhe e përkeqësuar si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, ishin edhe të pritshme. Megjithatë, disa vende të tjera kanë reaguar më shpejt.

Franca ka kufizuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike me rreth 4 për qind, e ndihmuar nga pronësia shtetërore e prodhuesit të energjisë EDF. Vendi gjithashtu siguron shumicën e nevojave për energji nga centralet bërthamore.

Italia ka një taksë të sheshtë për kompanitë e energjisë dhe ka ndarë tetë miliardë euro për të subvencionuar faturat e larta.

Spanja dhe Portugalia janë duke kufizuar çmimet e gazit pasi kanë marrë miratimin nga Bashkimi Evropian. Gjermania ka ulur taksën e karburantit me 30 cent për litër, krahasuar me uljen prej 0.59 euro në Britani. Irlanda ka ulur tarifat e transportit publik me 20 për qind, ndërsa Spanja dhe Belgjika kanë ulur TVSH-në e faturave të energjisë.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka ndarë rreth 26 miliardë euro për përballimin e kostove të larta të energjisë, duke përfshirë uljen e tarifës së karburantit, uljen e taksave dhe dhënies së kredive të buta. Megjithatë, masat nuk kanë ndikuar në normën totale të inflacionit.

Brexit dhe rënia e funtes

Britania është një ekonomi shumë e hapur. Baza prodhuese e Mbretërisë së Bashkuar është gjithashtu më e vogël se e vende të tilla si Gjermania dhe Italia.

Bllokimi shkaku i pandemisë, së bashku me politikën “zero Covid” të Kinës, ka rritur çmimet e mallrave dhe ka shkaktuar vonesa të kushtueshme. Megjithatë, kompanitë në Britani përballen me kosto shtesë shkaku i BREX-it, me një mori dokumentesh dhe vonesa kufitare që shtojnë presionin.

Blerjet nga BE-ja përbëjnë rreth gjysmën e importeve totale të britanikëve. Megjithëse pak më pak se gjysma e ushqimit të konsumuar në Britani prodhohet në vend, duke përfshirë shumicën e drithërave, mishit, bulmetit dhe vezëve, shumica e produkteve importohen nga vendet e BE-së.

Grupi i ekspertëve në Mbretërinë e Bashkuar në një “Evropë në Ndryshim” vlerësoi se barrierat tregtare pas BREX-it rritën çmimet e ushqimeve me 6 për qind midis dhjetorit të 2019 dhe shtatorit të 2021.

Monedha britanike, funta ka rënë në muajt e fundit, duke arritur në nivelin më të ulët kundrejt dollarit amerikan që nga ditët e para të pandemisë. Kjo do të rrit inflacionin, gjegjësisht do të rrit koston e importeve.

Mungesa e punëtorëve

Më pak punëtorë të huaj po kërkojnë punë në Britani të Madhe pas BREX-it, ndërsa shumë të moshuar dolën në pension gjatë pandemisë.

Mungesa e fuqisë punëtore po i shtyn kompanitë të rritin pagat, e cila gjë po ndikon edhe në rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve.

Papunësia ka rënë në nivelin më të ulët që nga mesi i viteve 1970, me numrin e njerëzve të papunë nën numrin e vendeve të lira të punës për herë të parë ndonjëherë.

Rritja mesatare vjetore e pagave, pa përfshirë bonuset, është rritur në 4.2 për qind, ndër normat më të shpejta të një dekade.

Banka e Anglisë beson se inflacioni i gjeneruar brenda vendit është më i lartë në Britani sesa në BE, ku rritja e pagave deri në tremujorin e fundit të vitit 2021 ishte 1.6 për qind.

Megjithatë, ajo është më pak e theksuar se në SHBA, ku një masë e rritjes së pagave arriti një rekord të lartë prej 6 për qind në muajin mars.

Megjithatë, rritja mesatare e pagave ende po dështon të mbajë ritmin e kostos së rritjet së jetesës. /Telegrafi/