LAJMI I FUNDIT:

Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon veton ndaj ligjit për “agjentët e huaj”

Parlamenti i Gjeorgjisë rrëzon veton ndaj ligjit për “agjentët e huaj”

Deputetët e Gjeorgjisë kanë votuar për të përmbysur një veto presidenciale mbi një projektligj të diskutueshëm të “transparencës mbi ndikimin e huaj” – shpesh i quajtur “ligji për agjentët e huaj” – i cili ka shkaktuar protesta disajavore në kryeqytetin Tbilisi, shkruan BBC.

Sipas legjislacionit, mediat dhe organizatat joqeveritare që marrin mbi 20 për qind të financimit të tyre nga jashtë do të duhet të regjistrohen si “organizata që veprojnë në interes të një fuqie të huaj”, t’i nënshtrohen auditimeve të rrepta ose të përballen me gjoba ndëshkuese.

Në një seancë plenare të martën, votimi kaloi me 84 vota pro – kryesisht nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane – kundrejt katër votave kundër, me opozitën abstenuese.

Ligji ishte miratuar tashmë më 14 maj, por më pas u vu veto nga presidentja pro-perëndimore Salome Zourabishvili. Ligji pritet të hyjë në fuqi pas 60 ditësh.

Qeveria gjeorgjiane argumenton se do të sigurojë transparencën e parave që rrjedhin për të mbështetur OJQ-të dhe për të mbrojtur Gjeorgjinë nga ndërhyrjet e huaja.

Por kundërshtarët e tij – të cilët e kanë quajtur atë “ligji rus” për shkak të ngjashmërive të tij me një ligj ekzistues në Rusi – besojnë se arsyeja e vërtetë e legjislacionit është të mbysë disidencën përpara zgjedhjeve parlamentare të tetorit.

BE tha se “ndjen keqardhje të thellë” për vendimin e parlamentit gjeorgjian. Zyrtarët e BE-së kishin paralajmëruar më parë se ligji mund të rrezikonte përparimin e mëtejshëm brenda bllokut. Gjeorgjisë iu dha statusi i vendit kandidat në dhjetor 2023. /Telegrafi//