Olise mund të përfundojë në burg? Ylli i Francës përballet me pasoja pas Botërorit


Ylli i Francës, Michael Olise, mund të rrezikojë një dënim me burg nëse rikthehet në vend me një produkt të ndaluar që ndodhej në dollapin e tij.
Olise shkëlqeu në Kupën e tij të parë të Botës, duke dhënë pesë asistime, ndërsa Franca arriti deri në fazën gjysmëfinale.
E konsideruar nga shumë njerëz si një prej favoriteve për të triumfuar, skuadra e Didier Deschamps u eliminua nga kampionët evropianë, Spanja, e cila fitoi 2-0 në Dallas falë golave të Mikel Oyarzabalit dhe Pedro Porros.
Megjithatë, Franca ende ka edhe një ndeshje për të luajtur para se të mbyllë aventurën në Amerikën e Veriut, pasi do të përballet me humbësin tjetër të gjysmëfinales në ndeshjen për vendin e tretë të shtunën.
Olise mund të shtojë ende numrin e asistimeve në Botëror, pasi është vetëm një asistim larg barazimit të rekordit të vendosur nga Pele në vitin 1970, kur braziliani realizoi gjashtë asistime.

Por ylli i Bayern Munichut duhet të jetë i kujdesshëm gjatë kthimit të tij në Francë.
Sipas The Sun, Olise mund të përballet me probleme nëse rikthehet në vend me qese nikotine orale.
Këto qese, ku kompania Velo është një nga furnizuesit më të mëdhenj, janë shumë të përhapura mes futbollistëve.
Ato vendosen nën buzë dhe disa vite më parë, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA), në bashkëpunim me Universitetin e Loughborough, zhvilloi një studim për përdorimin e tyre dhe ndikimin e perceptuar në shëndetin dhe performancën e lojtarëve.
Në këtë studim, futbollistët raportuan se i përdornin këto produkte për t'u relaksuar në ambiente sociale dhe për të menaxhuar stresin. Dr. Michael Bennett, drejtor i mirëqenies së lojtarëve në PFA, tha se këto qese janë në thelb "një mekanizëm përballues për të menaxhuar kërkesat gjithnjë në rritje të futbollit", por paralajmëroi se shumë lojtarë nuk janë plotësisht të vetëdijshëm për efektet dhe varësinë që mund të shkaktojnë.
Ndërsa këto produkte janë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara dhe Angli, situata është ndryshe në Francë, ku Olise ka zgjedhur të luajë për shkak të prejardhjes së tij nga nëna franko-algjeriane./Telegrafi/












































