Pas ndeshjeve ndërkombëtare rikthehet elita e futbollit kosovar në aksion me ndeshjet e xhiros së tretë.

Malisheva dhe Drita janë dy skuadra që e kanë nisur mirë këtë edicion, pasi kanë marrë nga një fitore e një barazim në ndeshjet e para.

Dy ekipet përballen nesër mes vete në stadiumin e qytetit në Malishevë, derisa trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu ka folur për këtë takim.

Trajneri shkupjan ka deklaruar se i kanë shfrytëzuar këto dy javë pushim për t’i eliminuar gabimet nga ndeshjet e para.

“Kemi shfrytëzuar këto dy javë të pushimit, për t’i eliminuar gabimet në dy ndeshjet e para. Më gëzon fakti që futbollistët që kishin shqetësime të vogla i kanë kaluar ato, janë rikuperuar dhe me klubin janë rikthyer edhe futbollistët që ishin me kombëtaret e tyre”.

“Kemi punuar mjaft mirë me gjithë grupin nesër kemi një kundërshtar që është futur me entuziazëm në Superligë. Kemi parë kanë bërë dy ndeshje të mira, duke marrë rezultate pozitive dhe nesër kemi përballë një skuadër të motivuar”, deklaroi Nuhiu.

Tutje trajneri i gjigantit kosovar tha se kanë studiuar mirë Malishëven dhe duan tri pikët nga kjo përballje.

“E kemi studiuar kundërshtarin, një ekip mjaft agresive dhe shumë e disiplinuar, jemi përgatitur për ndeshjen e nesërme, jemi të vetëdijshëm që duhet shumë punë për të marrë më të mirën”.

“Varësisht kundërshtarit do të bëjmë përzgjedhjen, nuk diskutohet se kemi futbollist formacioni, varësisht çfarë kërkojmë të luajmë dhe secili mund të bëjë më të mirën në ndeshjen e caktuar”, përfundoi Ardian Nuhiu. /Telegrafi/