Mundësia për ta marrë falas, Barcelona gjithashtu rivalizon top gjigantët evropianë për yllin e Bayernit

E ardhmja e Dayot Upamecanos te Bayern Munich po bëhet gjithnjë e më e pasigurt, teksa si Barcelona ashtu edhe Real Madrid po e synojnë mbrojtësin francez, i cili mund të largohet si lojtar i lirë.
26-vjeçari ndodhet në vitin e fundit të kontratës së tij, që skadon në qershor të vitit 2026. Bayern ka zhvilluar bisedime për rinovimin prej disa muajsh, por negociatat janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve midis klubit dhe përfaqësuesve të lojtarit.
Sipas “Foot Mercato”, gjigantët bavarezë duan të shmangin përsëritjen e rastit të David Alabas, i cili u largua falas drejt Real Madridit, por Upamecano po mban të hapura të gjitha opsionet, përfshirë edhe një largim të mundshëm.

Spanja shihet aktualisht si destinacioni më i mundshëm, me Realin dhe Barcelonën që po ëndërrojnë këtë afrim falas. “Los Blancos” e shohin francezin si zëvendësues të mundshëm për Antonio Rudiger apo Alaban, ndërsa katalanasit po e ndjekin me interes në kuadër të një ristrukturimi të madh në mbrojtje.
Interesim ekziston edhe nga Liga Premier – veçanërisht nga Manchester United – por gara kryesore pritet të zhvillohet mes dy gjigantëve të kampionatit spanjoll.
Bayern ende shpreson ta bindë Upamecanon të qëndrojë, por gjithçka tregon se “El Clasico”-ja e ardhshme mund të luhet jashtë fushës – në tregun e transferimeve./Telegrafi/




















































