Pamje nga grabitja spektakolare e veprave të artit me vlerë deri në 80 milionë euro në Itali

Hajdutët kanë vjedhur katër vepra arti të piktorit të Rilindjes, Antonello da Messina, me vlerë prej dhjetëra milionë eurosh, nga muzeu rajonal i qytetit të Mesinës, në Sicili.
Mes veprave të vjedhura janë tre nga pesë panelet e mbijetuara të “Poliptikut të San Gregorios”, të realizuar në vitin 1473, si dhe një panel dypalësh që paraqet Virgjëreshën Mari dhe Krishtin”.
Sipas mediave italiane, hajdutët hoqën të pesë panelet e poliptikut nga korniza, por dy prej tyre i lanë pas gjatë arratisjes.
Paneli tjetër ishte hequr nga një vitrinë e blinduar.
Vjedhja ndodhi ndërsa në qytet po zhvilloheshin festimet tradicionale të Ferragostos. Në atë moment, në muze kishte roje dhe sistemet e alarmit dhe të sigurisë ishin aktive.
Eksperti i artit Alberto Fiz e ka vlerësuar vlerën e veprave të vjedhura mes 70 dhe 80 milionë eurove.
Drejtoresha e muzeut, Marisa Mercurio, e cilësoi ngjarjen një humbje të jashtëzakonshme për muzeun, qytetin dhe botën e artit. Ajo theksoi se veprat janë pjesë thelbësore e trashëgimisë kulturore të Mesinës.
Edhe zyrtari i kulturës së qytetit, Enzo Caruso, e përshkroi vjedhjen si “një katastrofë”, duke thënë se pa veprat e Antonello da Messina-s, qyteti humbet një pjesë të rëndësishme të identitetit të tij artistik.
Ekspertët e krimit të artit kanë theksuar se veprat janë jashtëzakonisht të njohura, çka e bën të vështirë shitjen e tyre në tregun legjitim të artit.
Muzeu u mbyll, ndërsa hetuesit nisën mbledhjen e provave. Vjedhja ndodhi vetëm disa ditë pasi policia italiane njoftoi rikuperimin e tre veprave të vjedhura të Renoir, Cézanne dhe Matisse, me vlerë rreth 10 milionë euro.








































