eksperti-banner

Trajneri i Kombëtares së Norvegjisë, Stale Solbakken, tërhoqi vëmendjen pas fitores 3-2 ndaj Senegalit dhe kualifikimit në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës, kur u ngjit në tribunë për të përqafuar dhe puthur bashkëshorten e tij, Anniken.

Momenti u bë menjëherë viral, ndërsa vetë Solbakken tha se gjithçka ndodhi spontanisht, pasi nuk e dinte saktësisht se ku ishte ulur ajo.


Pas ndeshjes, ai vlerësoi paraqitjen e Erling Haaland, autor i dy golave, duke bërë edhe shaka se sulmuesi mund të kishte shënuar edhe më shumë.

Foto: EPA

Solbakken pranoi se minutat e fundit ishin shumë të vështira për shkak të presionit të Senegalit, por theksoi rëndësinë e kualifikimit.Megjithatë, emocionet e tij kanë një domethënie të veçantë për shkak të një ngjarjeje dramatike që i ndryshoi jetën.

Më 13 mars 2001, kur ishte futbollist i Kopenhagenit, Solbakken pësoi arrest kardiak gjatë një seance stërvitore.

Zemra e tij ndaloi për rreth 12 minuta dhe ai u konsiderua klinikisht i vdekur.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekut të klubit, Frank Odgaard, dhe më pas ekipit të emergjencës që përdori defibrilatorin, ai arriti të rikthehej në jetë.

Stale Solbakken

Pas ngjarjes, Solbakken nuk mbante mend asgjë nga ajo ditë dhe u zgjua vetëm disa ditë më vonë në repartin e kujdesit intensiv.

Mjekët i vendosën një defibrilator, ndërsa për të testuar funksionimin e tij, iu desh t’i nënshtrohej procedurave të kontrolluara që shkaktonin përkohësisht ndalimin e zemrës.

Përvoja ishte shumë e rëndë edhe për familjen e tij. Bashkëshortja e tij mbeti e vetme me dy fëmijët e vegjël, ndërsa prindërit e tij udhëtuan me urgjencë drejt Danimarkës.

Stale Solbakken

Madje, nëna e tij kishte nisur të mendonte edhe për organizimin e funeralit, ndërsa familjarët dhe shokët e skuadrës druheshin jo vetëm për mbijetesën e tij, por edhe për pasojat që mund të kishte në tru.

Sot, Solbakken thotë se ajo ngjarje e bëri të vlerësojë më shumë jetën, familjen dhe dashurinë. /Telegrafi/