UEFA pritet të zhvillojë bisedime gjatë ditëve në vijim për mundësinë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube 2029 të FIFA-s, ndërsa presidenti i saj, Aleksander Ceferin, raportohet se është i prirur ta mbështesë një vendim të tillë.

Javën e kaluar, UEFA kërcënoi se do të bojkotojë Kupën e Botës për meshkuj dhe femra nëse presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, vazhdon me planin për të shitur aksione të pakicës së turneut përmes një skeme investimi privat.


Propozimi i Infantinos synonte të siguronte mbi 20 miliardë dollarë investime private përmes një kompanie të re të quajtur FIFA Forëard Enterprise.

Grupi kryesor i investitorëve pritej të drejtohej nga kompania amerikane Thrive Capital, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait më të vogël të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump. Ky fakt ka shtuar edhe më shumë polemikat rreth projektit.

Presidenti i FIFA-s synon të kandidojë për një mandat të katërt në vitin 2027. Sipas raportimit të The Guardian, më shumë se 200 nga 211 federatat anëtare të FIFA-s e kanë mbështetur tashmë kandidaturën e tij.

Megjithatë, duket gjithnjë e më e sigurt se Infantino do të përballet me të paktën një kundërshtar serioz në zgjedhjet që do të mbahen gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, në muajin mars.

Sipas talkSPORT, presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, synon ta dobësojë më tej pozitën e Infantinos duke shtyrë përpara idenë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube 2029.

Formati i zgjeruar i Kupës së Botës për Klube, i propozuar nga Infantino në vitin 2019, u zhvillua për herë të parë në vitin 2025, me 12 nga 32 klubet pjesëmarrëse që vinin nga Evropa. Ndërkohë, edicioni i parë i Kupës së Botës për Klube për femra, me 19 skuadra, është planifikuar të zhvillohet në janar të vitit 2028.

Raportohet se Ceferin do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryetarin e Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC), Nasser Al-Khelaifi, i cili është njëkohësisht president i PSG-së, gjatë finales së Superkupës së UEFA-s mes PSG-së dhe Aston Villas më 12 gusht.

Bojkoti i Kupës së Botës për Klube do të jetë një nga temat kryesore të diskutimit.

Al-Khelaifi u emërua në krye të EFC-së në vitin 2021 dhe luajti një rol kyç në ndalimin e projektit të Superligës Evropiane./Telegrafi/

telegrafi sport app