LAJMI I FUNDIT:

Kosova U-20 pëson humbje në momentet e fundit nga Suedia

Kosova U-20 pëson humbje në momentet e fundit nga Suedia

Basketbollistët e Kosovës U-20 zhvilluan një ndeshje fantastike përballëSuedisë, por nuk mjaftoi, duke u mundur në fund 68:63 në Kampionatin Evropian, Divizioni B, në Portugali.

Kosova e nisi ndeshjen shumë mirë dhe që nga minuta e parë kërkoi fitoren. Dardanët hynë në një seri prej 10:3, derisa çerekun e parë e fituan me rezultat bindës 25:11.


Lojë më e barabartë u zhvillua në periodën e dytë, me suedezët që për një nuancë ishin më të mirë, por Kosova ruajti epërsinë, duke shkuar në pushim me rezultat 39:31.

Kosova e filloi për mrekulli periudhën e tretë, duke pasur epërsi deri në 13 pikë, 52:39, por më pas suedezët arritën të ngushtonin epërsinë deri në tre pikë, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash tregonte shifrat 54:51 për Dardanët. Periudha e fundit ishte vendimtare, të cilën e fitoi Suedia 17:9 dhe e fitoi ndeshjen 63:68.

Rron Ukaj zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme me 19 pikë e 14 kërcime, derisa u ndihmua nga Dardan Kapiti me nëntë pikë e 11 kërcime.

Sidoqoftë, kjo ishte një nga ndeshjet më të bukura për Kosovën në këtë kampionat, ku djelmoshat kosovarë dhanë maksimumin në fushë, por përvoja e bëri të veten. Ata luftuan nga fillimi deri në fund, por ishte e pamjaftueshme.

Kosova përfundon grupet në vendin e pestë dhe tashmë do të luftojë për pozitat 17-21. /Telegrafi/