Tronditje në basketbollin kosovar: KB Drita mbetet jashtë Superligës për mungesë të palestrës


KB Drita ka njoftuar se nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës në basketboll, jo për shkak të rezultateve sportive apo mungesës së organizimit, por për shkak të mungesës së një palestre të licencuar ku skuadra do t’i zhvillonte ndeshjet si vendas.
Përmes një deklarate zyrtare, klubi gjilanas ka shprehur zhgënjimin e madh për këtë situatë, duke theksuar se pas një sezoni të jashtëzakonshëm dhe shumë sakrificave, rrugëtimi drejt elitës së basketbollit kosovar është ndalur për arsye që, sipas tyre, nuk varen nga klubi.
"Me keqardhje të thellë njoftojmë opinionin sportiv, tifozët tanë dhe gjithë qytetarët se KB Drita nuk do të licencohet për garim në Superligën e Kosovës, jo për mungesë rezultatesh sportive, jo për mungesë organizimi apo vullneti, por për shkak të mungesës së një palestre të licencuar ku klubi të zhvillojë ndeshjet si vendas", thuhet në njoftimin e klubit.
KB Drita ka bërë të ditur se palestra e qytetit vazhdon të jetë në proces renovimi, ndërsa nuk është arritur të sigurohet një alternativë nga institucionet komunale për zhvillimin e ndeshjeve.

Sipas klubit, kryesia ka bërë përpjekje të shumta për të gjetur një zgjidhje, duke zhvilluar kontakte dhe takime në komuna të ndryshme, por pa sukses.
"Është e papranueshme që një klub i cili me meritë sportive fitoi të drejtën për të garuar në elitën e basketbollit të Kosovës, të mbetet jashtë vetëm për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe mungesës së përkrahjes institucionale", ka deklaruar KB Drita.
Klubi gjilanas e ka cilësuar këtë situatë si një dështim jo vetëm për KB Dritën, por për sportin e qytetit dhe për të gjithë të rinjtë që synojnë të jenë pjesë e këtij klubi./Telegrafi/











































