Drejtoria e Inspektoratit të Komunës së Prishtinës ka paralajmëruar investitorët, ndërtuesit dhe qytetarët se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e Inspektimit Final dhe pajisjen me Certifikatë të Përdorimit.

Sipas njoftimit, kjo kërkesë vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe objektet e tjera që përfshihen në kategoritë përkatëse sipas legjislacionit në fuqi.


Inspektorati ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht përmes Urdhëresës Inspektuese që të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve dhe të mos fillojnë aktivitetin ekonomik pa përfunduar procedura e Inspektimit Final.

Po ashtu, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit.

Në rast të shkeljeve, Drejtoria e Inspektoratit ka paralajmëruar masa, përfshirë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, lirimin e tij deri në pajisjen me certifikatë, gjoba administrative dhe inicimin e procedurave të tjera ligjore.

“Siguria nuk është formalitet”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Inspektoratit, e cila thekson se Inspektimi Final dhe Certifikata e Përdorimit shërbejnë për të verifikuar nëse objekti i plotëson kushtet ligjore, teknike dhe të sigurisë për përdorim. /Telegrafi/