Qytetarë të rrugës “Ismet Dërguti” në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë kanë bllokuar të premten kamionetën e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave, në shenjë proteste për, siç thonë ata, mosmbledhjen e rregullt të bërllokut në këtë pjesë të kryeqytetit.

Banorët kanë vendosur ta ndalojnë automjetin me qëllim që të tërheqin vëmendjen e institucioneve dhe kompanisë private përgjegjëse për problemin me mbeturinat.


Ata kanë ngritur shqetësime edhe për vetë automjetin që përdoret për këtë shërbim, duke pretenduar se kamioneta e caktuar për grumbullimin e mbeturinave nuk është e regjistruar. Në pjesën e pasme të automjetit, sipas fotografive nga vendi i ngjarjes, nuk shihet një targë e plotë e regjistrimit.

Në fotografi shihen po ashtu kontejnerë të mbushur dhe qese me mbeturina të grumbulluara përreth tyre.

Qytetarët kërkojnë që grumbullimi i mbeturinave të bëhet rregullisht dhe institucionet përgjegjëse të reagojnë ndaj situatës së krijuar.

Përmes bllokimit të kamionetës, ata thonë se synojnë të tërheqin vëmendjen për problemin e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje sa më të shpejtë.

Kamjoneta ka qëndruar e bllokuar rreth një orë, konkretisht derisa ka ardhur edhe një kamionët tjetër për t’i mbledhur mbeturinat e mbetura. /KosovaPress/