Komuna e Fushë Kosovës ka njoftuar se ka përfunduar aksioni për pastrimin dhe largimin e mbeturinave inerte dhe të vëllimshme në lagjen Kolonia.

Sipas Komunës, ndërhyrja është realizuar me qëllim të përmirësimit të pastërtisë dhe kushteve mjedisore në këtë zonë.


“Pastrimi dhe largimi i mbeturinave inerte dhe të vëllimshme është realizuar në lagjen Kolonia, duke kontribuar në përmirësimin e pastërtisë dhe të mjedisit në këtë zonë”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Nga Komuna kanë deklaruar se angazhimi për mirëmbajtjen e hapësirave publike do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

“Komuna e Fushë Kosovës po punon vazhdimisht për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe krijimin e një ambienti më të pastër dhe më të mirë për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim.

Në fund, Komuna ka apeluar për bashkëpunim të qytetarëve në ruajtjen e pastërtisë.

“Pastërtia është përgjegjësi e përbashkët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/