“Karta e fshehur” e Barcelonës: Ylli brazilian mund të jetë transferimi befasues për mbrojtjen

Natan është kthyer në një opsion shumë serioz në afatin kalimtar për Barcelonën, në rast se klubi blaugrana aktivizon kërkimin për një mbrojtës qendre.
Mbrojtësi brazilian i Real Betisit i është ofruar ekipit katalanas dhe qëndrimi i tij duket i qartë: ai do të largohej vetëm për të bërë një hap të tillë në karrierë.
Barcelona prej javësh po studion alternativa për të përforcuar boshtin e mbrojtjes, duke kërkuar profile me këmbën e majtë, lojtarë fizikë dhe të aftë për të nisur aksionet nga prapavija.
Në këtë kontekst ka dalë në pah Natan, një qendërmbrojtës 25-vjeçar që është zhvilluar nën drejtimin e Manuel Pellegrinit.

Braziliani fillimisht erdhi te Betisi në huazim nga Napoli, ndërsa më pas Real Betis e finalizoi blerjen e tij për 9 milionë euro.
Ky investim ka rezultuar i suksesshëm: Natan është shndërruar në titullar të rregullt te verdiblancos dhe në një nga mbrojtësit më të besueshëm të skuadrës.
Paraqitjet e tij kanë qenë vendimtare që Real Betis të rrisë nivelin e konkurrueshmërisë dhe të sigurojë kualifikimin në Ligën e Kampionëve.
Pikërisht për këtë arsye, në “Benito Villamarín” nuk e konsiderojnë të lehtë një largim. Çmimi fillestar do të ishte rreth 30 milionë euro, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh.
Real Betis ka kontratë afatgjatë me Natanin dhe nuk ka nevojë ta shesë me çdo kusht, kjo është arma e tyre kryesore në negociata.
Qendërmbrojtësi ka edhe katër vite kontratë dhe progresi i tij ka tërhequr interes nga tregje të ndryshme, sidomos për shkak të profilit të tij fizik./Telegrafi/




































