Juventusi synon transferimin e portierit argjentinas

Juventusi vazhdon ta ketë Emiliano "Dibu" Martinez si objektivin kryesor për portën në këtë afat kalimtar veror, por negociatat me Aston Villan mbeten të bllokuara për shkak të kërkesave të klubit anglez.
Portieri argjentinas, kampion bote me Argjentinën, ka kontratë me Aston Villan deri në qershor të vitit 2029 dhe drejtuesit e klubit nga Birminghami nuk kanë ndërmend ta lënë të largohet lehtësisht.
Sipas raportimeve, Aston Villa kërkon rreth 12 milionë euro për kartonin e 33-vjeçarit, ndërsa Juventusi e konsideron këtë shumë të lartë.

Po ashtu, bardhezinjtë nuk janë të gatshëm të plotësojnë kërkesën për një pagë bruto prej afro 9 milionë eurosh në sezon, duke ofruar aktualisht rreth 6.5 milionë euro.
Trajneri Luciano Spalletti, pas ndeshjes miqësore ndaj Baselit, konfirmoi se klubi vazhdon të kërkojë një portier të ri për të rritur konkurrencën në këtë repart, pavarësisht pranisë së Mattia Perin dhe Michele Di Gregorio, e ardhmja e të cilëve mbetet e paqartë.
Martinez synon të bindë Aston Villan për largimin
Pas përfundimit të angazhimeve me kombëtaren argjentinase në Kupën e Botës 2026, Martinez pritet të zhvillojë një takim me drejtuesit e Aston Villas për të diskutuar mundësinë e një transferimi gjatë kësaj vere.
Nuk është hera e parë që portieri mendon për një aventurë të re. Edhe verën e kaluar ai kishte shqyrtuar mundësinë e largimit nga Birminghami, por në fund vendosi të qëndrojë te skuadra e drejtuar nga Unai Emery.

Megjithatë, trajneri spanjoll vazhdon ta konsiderojë Martinez një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe nuk dëshiron ta humbasë para nisjes së sezonit të ri.
Juventusi kërkon uljen e kostos së operacionit
Drejtuesit e Juventusit besojnë se mund ta ulin çmimin e transferimit, duke u bazuar në disa faktorë.
Njëri prej tyre është mosha e portierit, i cili do të mbushë 34 vjeç gjatë sezonit të ardhshëm, si dhe një dëmtim në gisht që e ka shoqëruar që nga fundi i sezonit të kaluar.
Martinez kishte vendosur të shtynte ndërhyrjen kirurgjikale për të qenë në dispozicion të Argjentinës në Kupën e Botës, ndaj gjendja e tij fizike do të monitorohet me kujdes gjatë fazës përgatitore.

Nga ana tjetër, Juventusi nuk dëshiron të dalë jashtë planifikimit financiar të klubit dhe shpreson që vetë portieri të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje pas bisedimeve me Aston Villan.
Nëse negociatat nuk shënojnë përparim, bardhezinjtë kanë nisur të shqyrtojnë edhe alternativa të tjera për portën.
Megjithatë, Emiliano "Dibu" Martinez mbetet zgjedhja e parë e Luciano Spallettit dhe takimi i tij me drejtuesit e Aston Villas pritet të jetë vendimtar për të ardhmen e kësaj sage transferimi. /Telegrafi/








































