eksperti ad

Ish-mbrojtësi i Bayern Munich, Borussia Dortmund dhe kombëtares së Gjermanisë, Niklas Sule, ka vendosur të rikthehet në fushë vetëm pak kohë pasi njoftoi pensionimin nga futbolli profesionist.

Mbrojtësi 30-vjeçar do të luajë për klubin amator SV Tiefenbach, që garon në Kreisliga, një ligë rajonale e cila konsiderohet afërsisht niveli i 11-të i futbollit gjerman.


Süle njoftoi në muajin maj se do të mbyllte karrierën profesionale pas përfundimit të sezonit 2025/26 në Bundesliga. Vendimi i tij erdhi pas disa problemeve serioze me lëndimet, të cilat e kufizuan ndjeshëm në vitet e fundit.

Gjatë karrierës së tij, Süle fitoi pesë tituj të Bundesligës dhe Ligën e Kampionëve me Bayern Munich, ku luajti nga viti 2017 deri në vitin 2022. Më pas ai iu bashkua Borussia Dortmundit, ku regjistroi 110 paraqitje zyrtare dhe shënoi tri gola.


Në sezonin e fundit, ai zhvilloi vetëm 11 paraqitje në kampionat, para se të vendoste t’i jepte fund aventurës në nivelin më të lartë.

Megjithatë, dashuria për futbollin e ka rikthyer në fushë.

“Mezi pres ta përjetoj futbollin nga një perspektivë krejt tjetër, ku bëhet fjalë vetëm për sportin dhe jo për biznesin apo paratë”, deklaroi Süle për faqen zyrtare të SV Tiefenbach.

Ai shpjegoi se vendimi lidhet edhe me miqtë e tij të afërt, pasi dy prej tyre luajnë për këtë klub, ndërsa njëri është pjesë e stafit teknik.

“Pas 13 viteve si futbollist profesionist, është një kënaqësi e madhe të jem në fushë me miqtë e mi dhe ta shijoj përsëri këtë sport të mrekullueshëm”, shtoi ai.

SV Tiefenbach ndodhet rreth 125 kilometra në jug të Frankfurtit, ndërsa për Süle kjo aventurë pritet të jetë një rikthim i futbollit në formën e tij më të thjeshtë: pasion, shoqëri dhe kënaqësi. /Telegrafi/

telegrafi sport app