LAJMI I FUNDIT:

Interi fiton me vështirësi te Bologna, Lukaku hero i triumfit

Interi fiton me vështirësi te Bologna, Lukaku hero i triumfit
Bologna - Inter (Foto: Mario Carlini / Iguana Press/Getty Images/Guliver)

Interi ka marr një fitore të madhe 2-1 në udhëtim te Bologna në ndeshjen e vlefshme për javën e 11-të në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi Interit, të cilët përveç rasteve arritën të shënojnë edhe dy gola, por që të dyja u anuluan nga gjyqtarët.


Lautaro Martinez (33′) dhe Romelu Lukaku (39′) shënuan gol, por të dyja u anuluan për pozitë jashtë loje.

Në pjesën e dytë, nisi më mirë për Interin, por ishin vendasit që arritën t’i befasojnë duke shënuar të parët.

Goli i parë në këtë ndeshje erdhi në minutën e 59-të dhe ishte Roberto Soriano, i cili shënoi për 1-0 falë edhe devijimit të topit nga Stefan de Vrij.

Interi arriti të kthehet në lojë në minutën e 75-të me Lukakun, i cili nga afërsia shënoi për barazimin 1-1.

Deri në fund të lojës, Nerazzurrët nuk u dorëzuan në kërkim të golit dhe atë e gjetën në minutat shtesë me Lukakun, i cili shënoi nga penalltia për 2-1 duke vulosur fitoren.

Me këtë fitore, Interi ngjitet përsëri në vendin e parë me 28 pikë, ndërsa Bologna renditet e 12-ta me 12 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, ziklatrit e presin në shtëpi Veronan, ndërsa Bologna udhëton te Sassuolo. /Telegrafi/