Autori dhe moderatori i emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Ermal Panduri, ka paralajmëruar se emisioni i sontëm do t’i kushtohet historisë së Abdullah Prapashticës dhe pretendimeve të tij për infiltrimin në Sigurimin e Shtetit Jugosllav.

Panduri, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se emisioni do të nisë me një seri materialesh të cilat i ka cilësuar si “dosje”.


“Sonte nisim me DOSJET”, ka shkruar Panduri.

Sipas tij, Prapashtica ka punuar për vite me radhë brenda strukturave të Sigurimit të Shtetit Jugosllav, ndërsa pretendon se qëllimi i tij ishte i lidhur me veprimtarinë e organizatës.

“Unë jam infiltruar në Sigurimin Shtetëror për me punu për çështjen e organizatës”, citohet të ketë thënë Prapashtica.

Panduri ka ngritur disa pyetje lidhur me mënyrën se si Prapashtica arriti të punonte brenda strukturës që ndiqte veprimtarinë ilegale, pa u zbuluar.

“Një njeri i ilegales, brenda vetë sistemit që e ndiqte ilegalen?”, ka shkruar ai.

Në paralajmërim shtrohen edhe pyetje se çfarë dinte Prapashtica për veprimtarët e tjerë dhe nëse strukturat e Sigurimit të Shtetit Jugosllav kishin dijeni për identitetin dhe veprimtarinë e tij.

“Si ishte e mundur të punonte aty pa u zbuluar? Çfarë dinte për veprimtarët e tjerë?”, janë pyetjet e ngritura nga Panduri.

Ndërsa pyetja kryesore e paralajmërimit është: “Sigurimi i Shtetit Jugosllav vërtet nuk e dinte kush ishte Abdullah Prapashtica?”.

“Sonte hapim dosjen e parë”, ka përfunduar Panduri. /Telegrafi/