Mesazhe me përmbajtje kërcënuese ndaj Kosovës po vazhdojnë të vijnë nga Serbia thuajse çdo ditë. Së fundmi, një grafit me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është vendosur në Peruçac, në zonën e Bajina Bashtës.

Grafiti është shkruar në një mur përgjatë rrugës në drejtim të Mitrovacit në Tarë, me shkronja të mëdha dhe me ngjyrat e flamurit serb. Mediat lokale në Serbi kanë raportuar se mbishkrimi është shfaqur më 9 gusht, e që i bie pikërisht në ditën kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq kërcënoi Kosovën me një nga burimet më vitale të ujit për Kosovën, atë të Ujmanit, duke “i ndërruar rrjedhën lumit Ibër”, transmeton KosovaPress.


Ky nuk është rasti i parë që në Serbi shfaqen mesazhe të tilla. Grafite me përmbajtjen “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” janë parë prej vitesh në lokacione të ndryshme të këtij shteti, përfshirë edhe në Beograd. Në vitin 2023, mbishkrime të tilla ishin vendosur edhe në rrethojën e ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, si dhe në disa pjesë të tjera të kryeqytetit serb. Ato madje u vendosën disa herë edhe në veri të Kosovës.

Grupi kryesor i tifozëve të Crvena Zvezdës kishte pretenduar se kishte shkruar shumicën e tyre me shpenzimet e veta, ndërsa kishte thënë se grafiti i parë i tillë ishte realizuar nga tifozët e Partizanit.

Shfaqja e fundit e këtij mesazhi vjen vetëm një ditë pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me lumin Ibër.

Vuçiq ka thënë të dielën se Serbia po mbledh ekspertë të ndërtimtarisë dhe inxhinierë për të shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit.

“Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, pretendoi Vuçiq, teksa u mundua të paraqiste rrejshëm situatën në Kosovë se gjoja komuniteti serb po “maltretohet”.