Inter, Juventus apo Napoli: Super kompjuteri i Opta-s parashikon fituesin e Serie A për sezonin 2025/26

Serie A nis pas një jave, më 23 gusht, duke ringjallur pasionin e tifozëve, të etur të ndjekin çdo kthesë të futbollit vendas.
Sezoni i kaluar përfundoi në mënyrë dramatike: Interi mbeti vetëm një pikë larg Scudettos, të cilën e fitoi Napoli.
Sezoni i ri 2025/26 tashmë ka marrë parashikime nga superkompjuteri i Opta-s, i cili sheh një garë të ashpër për vendet evropiane mes klubeve më të mëdha të Italisë.
Sipas llogaritjeve të inteligjencës artificiale, Milani pritet të përfundojë në vendin e pestë, pas sezonit të tyre të parë pa gara evropiane në pesë vite – një pozicion që siguron biletën për Ligën e Evropës.
Ndërkohë, tifozët e Juventusit nuk kanë shumë arsye për festë: Opta parashikon vetëm vendin e gjashtë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës.
Kujtojmë se sezonin e kaluar Juventusi u kualifikua me vështirësi në Ligën e Kampionëve, me një pikë më shumë se Roma.
Roma, nga ana tjetër, parashikohet të rikthehet në Ligën e Kampionëve për herë të parë që nga sezoni 2017/18, duke zënë vendin e katërt – një pozitë që Juventusi ia rrëmbeu sezonin e kaluar.
Atalanta parashikohet sërish të mbyllë sezonin në vendin e tretë, ndërsa kampionët në fuqi Napoli nuk pritet ta mbrojnë titullin. Parashikimi i Opta-s është që Interi do të fitojë Scudetton, me një epërsi prej 23 për qind nga ta.
Sa i përket luftës për mbijetesë, rënia nga kategoria parashikohet për ekipet e sapongjitura Pisa dhe Cremonese, si dhe për Leccen, që sezonin e kaluar shpëtuan me vetëm tri pikë më shumë se zona e ftohtë. /Telegrafi/




















































