Juventusi duket se i ka dhënë fund dilemave për portën. Guglielmo Vicario është zgjedhja e re e “Zonjës së Vjetër”, me italianin që pritet të mbrojë katërkëndëshin e bardhezinjve sezonin e ardhshëm.

Pas tentativës së bërë gjatë pasdites së së dielës për Emiliano Martinez, drejtuesit e Juventusit kanë ndryshuar strategji, duke u fokusuar te Guglielmo Vicario i Tottenhamit.


Sipas raportimeve të fundit, klubi torinez ka arritur marrëveshje me portierin italian për kushtet personale, ndërsa tashmë kanë avancuar ndjeshëm edhe negociatat me Tottenhamin për të finalizuar transferimin.

Juventusi kishte provuar më herët të siguronte shërbimet e Emiliano Martinez, sidomos pasi Aston Villa arriti marrëveshjen për transferimin e Zion Suzuki.

Bardhezinjtë paraqitën një ofertë prej 10 milionë eurosh, të ndarë në 7 milionë euro si tarifë fikse dhe 3 milionë euro në formën e bonuseve.

Megjithatë, propozimi nuk ishte i mjaftueshëm për të bindur Aston Villan, duke bërë që drejtuesit e Juventusit të kthenin vëmendjen te një tjetër alternativë.

Kështu, Vicario është shndërruar në objektivin kryesor dhe drejtuesit Cristiano Giuntoli, Massara dhe Ottolini janë angazhuar për të mbyllur sa më shpejt marrëveshjen me Tottenhamin.

Portieri italian, i cili është transferuar te klubi londinez në vitin 2023, mund të rikthehet kështu në Serie A, këtë herë për të mbrojtur portën e Juventusit.

Negociatat mes dy klubeve janë në një fazë të avancuar dhe, nëse nuk do të ketë pengesa të minutës së fundit, marrëveshja për transferimin e Vicarios në Torino pritet të finalizohet së shpejti. /Telegrafi/

telegrafi sport app