Roma ka marrë një fitore dramatike 2-1 ndaj Atalantës, duke regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat dhe duke u ngjitur në krye të tabelës.

Në pjesën e parë, Roma ishte pranë golit në minutën e 17-të, kur Gianluca Mancini goditi me kokë pas një harkimi të saktë, por Marco Carnesecchi reagoi shkëlqyeshëm dhe e ndali topin pranë shtyllës së majtë.


Atalanta e nisi më mirë pjesën e dytë dhe kaloi në epërsi në minutën e 47-të. Ederson përfitoi nga një top i rikthyer brenda zonës dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në këndin e epërm për 0-1.

Roma u përpoq të reagojë dhe pati disa mundësi të mira. Marco Carnesecchi ishte në formë të shkëlqyer, duke bërë disa pritje vendimtare, përfshirë një ndalje spektakolare ndaj goditjes së Manu Konés në minutën e 54-t dhe një tjetër ndaj goditjes me kokë të Matias Soules në minutën e 71-të.

Megjithatë, presioni i vendasve u shpërblye në minutën e 89-të. Mario Hermoso u shfaq në zonë pas një harkimi perfekt nga këndi dhe me një goditje të fuqishme me kokë e dërgoi topin në këndin e epërm për 1-1.

Roma nuk u ndal dhe në minutën e tretë shtesë realizoi përmbysjen e madhe. Matias Soule përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje të saktë në këndin e poshtëm shënoi për 2-1, duke i dhënë Romës tri pikët.

Me këtë fitore, Roma e vazhdon startin perfekt të sezonit dhe ngjitet në pozitën e parë, me 9 pikë, ndërsa Atalanta pësoi humbjen e parë sezonale. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore
telegrafi sport app