“Nis Fshesa e Besnik Hasit në Greqi”. Trajneri shqiptar ka nisur punën me skuadrën e tij të re, Olympiacosin, duke vendosur pikat mbi “I”.

Sipas mediave të vendit fqinj, Hasi ka zhvilluar një mbledhje të gjatë me lojtarët përpara seancës së parë stërvitore duke u bërë me dije se ka marrë dy vendime të rëndësishme.

Dy lojtarë të skuadrës aktuale nuk janë në planet e 45-vjeçarit, i cili u ka kërkuar të kërkojnë një destinacion të ri për të vazhduar karrierën e tyre.

I pari në listë është sulmuesi kolumbian, Felipe Pardo. Klubi është i pakënaqur me sjelljen e lojtarit, i cili është kthyer me vonesë dhe për më tepër me disa kg më tepër nga pushimet.

Vitin e shkuar ai u transferua nga Braga për në Pire, por mesa duket Hasi synon ta largojë, pasi nuk bën pjesë në planet e tij.

Një tjetër emër është edhe argjentinasi Esteban Cambiasso. Mesa duket, karriera e ish-mesfushorit të Interit te Olympiacosit është drejt fundit dhe Cambiasso me shumë mundësi ai mund të emërohet në një detyrë drejtuese në akademinë e klubit bardhekuq.

Gjithsesi, një tjetër alternativë për Cambiasson është edhe rikthimi në Argjentinë për të mbyllur karrierën në radhët e River Plate.