Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka konfirmuar se klubi katalunas vazhdon të kërkojë një sulmues të ri përpara mbylljes së afatit kalimtar.

Sipas “SPORT”, tekniku gjerman deklaroi se ka besim të plotë te drejtori sportiv Deco për punën që po bën në merkato, duke pranuar se Barcelona duhet të përforcojë repartin ofensiv.


"Kam besim të plotë te Deco. Duhet të bëjmë diçka", u shpreh Flick, duke lënë të kuptohet se afrimi i një sulmuesi mbetet objektivi kryesor i klubit.

Ai la të hapur edhe mundësinë që lëvizjet në merkato të varen nga e ardhmja e Ferran Torresit, i cili vazhdon të lidhet me një largim të mundshëm nga "Camp Nou".

Megjithatë, Flick theksoi se Barcelona ka disa alternativa në repartin ofensiv. Sipas tij, Lamine Yamal mund të aktivizohet edhe si "9 i rremë", ndërsa Anthony Gordon dhe Karim Adeyemi janë futbollistë që mund të luajnë si në qendër të sulmit, ashtu edhe në të dy krahët.

Ndërkohë, pavarësisht lëndimit afatgjatë të Frenkie de Jong, trajneri gjerman përjashtoi mundësinë e transferimit të një mesfushori të ri.

Flick insistoi se Barcelona ka mjaftueshëm alternativa në mesfushë dhe e bëri të qartë se afrimi i një sulmuesi është prioriteti kryesor i klubit deri në mbylljen e afatit kalimtar./Telegrafi/

telegrafi sport app