Gjilani ka arritur të fitojë me rikthim në udhëtim te Feronikeli me rezultat 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 10-të në Ipko Superligën e Kosovës.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Gentjan Mezani ka marr edhe fitoren e tretë me radhë duke konfirmuar formën e lartë në kampionat, pasi ka mposhtur Niklin pas fitoreve ndaj Flamurtarit dhe Dukagjinit.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por portierët Florian Smakiqi dhe Kenan Haxhihamza nuk lejuan të tunden portat.

Rasti më i miri në këtë pjesë ishte ai i minutës se 43-të, kur Bedri Greca doli i vetëm me portierin, por në fund u pengua nga Lapidar Lladrovci dhe gjyqtari vazhdoi lojën.

Në pjesën e dytë, Nikli e nisi më furishëm duke e gjetur edhe golin e epërsisë, por Gjilani shpejt u rikthye në lojë duke përmbysur gjithçka dhe duke marr fitoren.

Goli i parë i ndeshjes erdhi në minutën e 73-të dhe ishte Jean Carioca, i cili shënoi për 1-0 pas një veprimi të mirë individual.

Gjilani arriti të kthehet në lojë në minutën e 81-të me anë të Franc Veliut që shënoi me kokë për 1-1, ndërsa vetëm tre minuta më vonë partneri i tij në mbrojtje, Ylber Kastrati shënoi për 1-2 dhe ky doli të jetë goli i fitores.

Pas kësaj fitore, Gjilani e sheh veten në pozitën e parë me 21 pikë, ndërsa Feronikeli zë vendin e pestë me 16 pikë. /Telegrafi/