Filmi biografik për Michael Jackson po vazhdon të thyejë rekorde në arkëtime, duke u renditur tashmë si filmi i dytë biografik me fitimet më të larta në histori.

Projekti “Michael”, ku rolin kryesor e interpreton nipi i artistit, Jaafar Jackson, ka kaluar filmin “Elvis” dhe ka fituar deri tani rreth 577 milionë dollarë (rreth 510 milionë euro) në mbarë botën.


Filmi ka marrë vëmendje të jashtëzakonshme që prej publikimit më 24 prill, duke sjellë sërish në qendër të vëmendjes figurën legjendare të Mbretit të Popit, shkruan DailyMail.

Vetëm gjatë fundjavës së tretë në kinema, produksioni arkëtoi rreth 95 milionë dollarë (rreth 84 milionë euro), ndërsa fitimet totale në SHBA kanë arritur mbi 240 milionë dollarë (rreth 213 milionë euro).

Suksesi i “Michael” ka lënë pas filmin Elvis, ndërsa në vendin e parë vazhdon të mbetet Bohemian Rhapsody, filmi kushtuar Freddie Mercury.

Filmi është pritur shumë mirë nga publiku, pavarësisht kritikave për mënyrën si janë trajtuar disa pjesë të jetës së artistit.

Interesi i madh ka rikthyer edhe një herë emrin e Michael Jackson në qendër të kulturës pop, duke dëshmuar se ndikimi i tij në muzikë dhe art mbetet ende i jashtëzakonshëm edhe 17 vite pas vdekjes së tij. /Telegrafi/