Edmond Azemi nuk e ka ndërmend të ndalet. Basketbollisti prishtinas e ka ndërmend të luajë së paku edhe një sezon në fanellën e Sigal Prishtinës.

“Edo” ishte lojtar i rëndësishëm për Bardhekaltrit edhe këtë edicion, me të cilët e fitoi titullin e kampionit dhe Kupën e Kosovës. Ai ndihet mirë dhe mezi pret të luajë në Champions League.

“Unë po ndihem shumë mirë, nuk kam pasur lëndime. Klubi e ka shprehur dëshirën që ta vazhdojmë bashkëpunimin dhe unë nuk do të ndalem. Mendoj se mund të jap ende kontribut për këtë klub”, është shprehur legjenda prishtinase për “Zërin”.

Ai së fundmi e fitoi titullin e 12-të të kampionit të Kosovës me prishtinasit, një rekord absolut.

“Nuk ka qenë e lehtë, por kjo u arrit falë seriozitetit të klubit. E kemi pasur qëllimin ta fitojmë titullin dhe e arritëm”.

“Tash na u plotësua dëshira për të luajtur në Champions League. Do ta shijojmë këtë eksperiencë dhe do ta japim maksimumin”, përfundoi Azemi, një basketbollist shembull brenda dhe jashtë parketit.