eksperti ad

Ndërsa të gjithë sytë e botës së futbollit janë të fokusuar tek ngjarjet e Kupës së Botës, eksperti i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, ka zbuluar një zhvillim të madh nga merkato e verës.

Golashënuesi legjendar polak, Robert Lewandowski, do të largohet nga futbolli evropian për të vazhduar karrierën në anën tjetër të Atlantikut.


Romano ka përdorur sloganin e tij të famshëm “Ja ku jemi”, që nënkupton se marrëveshja është mbyllur dhe mbetet vetëm zyrtarizimi nga klubet.

Klubi i ri i sulmuesit do të jetë Chicago Fire në MLS, ndërsa sipas informacioneve të Romano-s, Lewandowski ka vizituar fshehurazi Çikagon dhe ambientet e klubit dy javë më parë.

Atje, ai është impresionuar nga projekti i ofruar dhe nga qyteti, duke dhënë dritën jeshile për finalizimin e transferimit.



Sulmuesi polak pritet të firmosë kontratën zyrtarisht në fillim të kësaj jave, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij të suksesshme.

Pas viteve të dominimit në Bundesligë me Borussia Dortmund dhe Bayern Munich, si dhe sezoneve në La Liga me Barcelonën, Lewandowski transferohet në SHBA si një nga emrat më të mëdhenj që i bashkohet MLS-së.

Transferimi i tij në Çikago merr një rëndësi të veçantë edhe për shkak të komunitetit të madh polak në qytet, çka pritet ta shndërrojë menjëherë në një figurë shumë të dashur për tifozët dhe të mbushë stadiumet që në ndeshjet e para.

Ky transferim konsiderohet një nga lëvizjet më të mëdha në historinë e Chicago Fire dhe një tjetër dëshmi e rritjes së vazhdueshme të MLS-së në tërheqjen e yjeve të futbollit botëror. /Telegrafi/

telegrafi sport app