LAJMI I FUNDIT:

Driton Kuka: Kam mbetur pa shoqëri, sporti dëmton jetën personale

Driton Kuka: Kam mbetur pa shoqëri, sporti dëmton jetën personale

Trajneri i xhudos, Driton Kuka, për herë të parë në një emision televiziv rrëfen për jetën personale dhe karrierën në sportin që i solli Kosovës shumë medalje.

Driton Kuka, në emisionin “Personale” me Krenare Vokshi-Shala në RTV Dukagjini, ka thënë se karriera e tij në sportin e xhudos u ndërpre dhunshëm për shkak të rrethanave historike të kohës, por ndjehet i lehtësuar që nxënësit e tij po e përmbushin ëndrrën e tij jetësore.


Rininë e hershme, Kuka thotë se e ka kaluar me lumturi pavarësisht situatës së rëndë. ndërkaq thekson se si shumë të ri pejan ka qenë i pasionuar pas motorëve.

Driton Kuka: Spanja u njoftua dy herë me shtetin e Kosovës

Hapat e parë në xhudo i ka marrë nga vëllai i tij që ishte edhe trajner në atë kohë.

“Si i ri kam qenë kampion i shumëfishtë në Jugosllavi. Në vitin 1991 kam marrë pjesë në garën e vetme të rangut botërorë ku edhe kam marrë medalje. Ajo medalje ka qenë më e vlefshmja për sportin e xhudos deri sa kanë dalë në skenë nxënësit e mi, të cilët me kanë kaluar shumë herë”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Trajneri i xhudos thotë se pas luftës krahas sportit, ai është marrë edhe me shitblerje të veturave me të cilat edhe ka mbështetur aktivitetet sportive. Ai thotë se ka pasur mbështetje nga bizneset në Pejë për zhvillimin e sportit të xhudos.

Kuka ka thënë se të jesh sportist i suksesshëm e dëmton jetën personale. Ai thotë se i mungon shumë shoqëria që dikur ka pasur në Pejë.

“Sot unë nuk kam shokë. Edhe pse njoh shumë njerëz në Pejë mund të them se më mungon shoqëria. Sinqerisht nuk e di si është të dalësh në qytet. Edhe kur dal më duket se po dal në një qytet të huaj. Për mua mund të them se kjo është sakrifica më e madhe personale sepse më mungon ajo pjesë shumë [shoqëria]”.

“Për sportistët që i stërvit unë është edhe më keq. Unë ndoshta e kam përjetuar një periudhë me shoqëri kur më është ndalur karriera, por për këta xhudistët e ri është shumë e vështirë. Këta nuk kanë një jetë personale”.

Trajneri i xhudos thotë se Akil Gjakova ka një dëshirë më të madhe për t’iu përkushtuar sadopak edhe jetës personale për çka thotë se kanë pasur edhe telashe.

“Nëse qëndron jashtë deri në ora 11:00 apo 12:00 është në rregull. Por pas kësaj ore do ta ketë të vështirë të zgjohet në ora 6:00 për të bërë stërvitje. Nuk jam kundër shoqërisë por koha e limiton këtë gjë”, tha ndër të tjera Driton Kuka./Telegrafi/