Deschamps e pranon se ishin inferiorë ndaj Spanjës, por ka akuza edhe për gjyqtarin: A ishte ai i aftë për një gjysmëfinale?


Trajneri i Francës, Didier Deschamps, nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 2-0 ndaj Spanjës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës 2026, duke pranuar se skuadra e tij ishte inferiore, por njëkohësisht ngriti pikëpyetje edhe për paraqitjen e gjyqtarit Ivan Barton.
Franca u eliminua pas golave të Mikel Oyarzabal dhe Pedro Porro, ndërsa Deschamps vlerësoi se skuadra e tij nuk ishte në nivelin e duhur.
“Lojtarët janë të shkatërruar, por duhet të jemi realistë, ishim teknikisht inferiorë. Është faji ynë. Por unë do të bëj një pyetje: a ishte gjyqtari në nivelin e arbitrimit për një gjysmëfinale? Nuk do t’i përgjigjem vetë kësaj pyetjeje. Kishte shumë situata të dyshimta. Por arsyeja kryesore është se ishim thjesht nën mesataren, me disa gabime teknike dhe pasime të këqija që mund të kishin çuar në raste”, deklaroi Deschamps.

Trajneri francez theksoi se, pavarësisht eliminimit, nuk dëshiron të zhvlerësojë rrugëtimin e skuadrës së tij në turne.
“Ky është niveli më i lartë, edhe nëse dhemb. Do ta luajmë ndeshjen për vendin e tretë. Nuk dua të shpërfill gjithçka që është bërë, por në këtë ndeshje Spanja tregoi diçka më shumë”, u shpreh ai.
Deschamps nuk kurseu elozhet për kundërshtarin, duke pranuar se Spanja e kontrolloi ndeshjen.
“Na mungonte saktësia teknike dhe energjia. Spanjollët janë shumë të mirë në ndërprerjen e sulmeve me parashikime dhe pasime. Do të kishim dashur t’u kishim krijuar më shumë probleme në sulm”, tha tekniku i “Les Bleus”.

Në fund, ai u rikthye edhe një herë te arbitri Ivan Barton, por pa e akuzuar drejtpërdrejt.
“Arbitri? Nëse them diçka, do të dukem si një fëmijë që qan sepse humbëm. Por po ju pyes nëse arbitri është i aftë për detyrën e arbitrimit të një gjysmëfinaleje. Pati ajo situatë e penalltisë, por nuk është vetëm kaq, është përtej çdo gjëje tjetër. Nuk kam asgjë kundër arbitrit sonte, por bëjini vetes këtë pyetje”, përfundoi Deschamps.










































