Në njërën anë "Intelektualët" e në tjetrën "Skifterat" po bëhen gati për ta shijuar derbin më të madh dhe më të zjarrtë në Kosovë, atë të qytetit të Gjilanit. Në javën e parë të këtij edicioni që nis me 22 gusht, skuadra e Dritës do të luajë kundër Gjilanit të kthyer në elitë.

Për trajnerin e Dritës, Bekim Isufi, nuk ka sinjal më të mirë për futbollin sesa për ta filluar edicionin e ri me derbin e zjarrtë. Në të vërtetë, si Drita ashtu edhe Gjilani, falë ndeshjeve të barazhit të edicionit të shkuar janë pjesë e elitës. Drita pas triumfit me Flamurtarin mbeti në elitë derisa Gjilani mposhti Vëllaznimin për t'u kthyer në Superligë.


"Është shumë mirë që Superliga nis me këtë superderbi. Do të jetë një propagandë e mirë jo vetëm për futbollin e Kosovës, por edhe për qytetin e Gjilanit që tashmë ka filluar të mobilizohet për këtë ndeshje", është shprehur Isufi që këtë edicion do të jetë në krye të Dritës.

"Po ashtu jam i bindur se në edicionin e ri edhe shikueshmëria do të jetë më e madhe për shkak se ekipet kanë bërë përforcime dhe kjo është shumë e rëndësishme", ka shtuar ai. /koha.net/

telegrafi sport app