Dajaku, zemra kuqezi

27 vjeçari është larguar kohë pas kohe nga klubi, duke provuar eksperienca në 2 Korrik, Prishtinë, Trepçën ’89 dhe Ferizaj. Mirëpo, pas çdo eksperience, mesfushori ofanziv është rikthyer në ‘folenë e vjetër’.
“Pse largohem dhe pse kthehem tek Drenica? E gjitha ka të bëjë me çështje kontratash, marrëveshjet që arrihen dhe duke qenë se unë e bëj vetëm këtë punë, pra futbollin, varem vetëm nga kjo gjë. Sado që rasti me Drenicën është më ndryshe, se unë jam produkt i kësaj fanelle, jam rritur këtu dhe si djalë i këtij qyteti, unë përherë kam bërë kompromise me kontratën. Ashtu bëra edhe këtë herë, por tani në dorë e kanë komplet njerëzit kompetentë të klubit. Nëse më duan aty, besoj se do bëjnë një sforcim të vogël. Në të kundërtën, më duhet t’i uroj sukses klubit dhe të vazhdojmë rrugët tona. Kam besim se gjërat shpejt do qartësohen dhe do bëhet më e mira për Drenicën”, theksoi Dajaku për “Zërin”.
Pa dyshim, ai ndihet më së miri kur e vesh fanellën kuqezi. “Fanella e Drenicës peshon shumë për këdo që është lind në këtë vend, jo pse lojtarët këtu janë mësuar të fitojnë me patjetër trofe, por sepse ka një publik të mrekullueshëm, tifo-grupin ‘Shqiponjat e Zeza’, që jetojnë me klubin përherë në fitore e në humbje. Kjo është e veçanta e këtij klubi dhe ndikon tek unë”, përfundoi ai.



















































