Shfaqja kosovare “Arka” ka shënuar një sukses të rëndësishëm ndërkombëtar, duke u shpërblyer me çmim në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës MONO FEST, i cili u mbajt në Kostanay, Kazakistan.

Lajmin e ka bërë të ditur vet regjisori i shfaqjes, Mirak Zymberaj, i cili ka publikuar edhe një video nga momenti i marrjes së çmimit, duke ndarë emocionet dhe rëndësinë e këtij vlerësimi për ekipin.


“Diploma - LAUREAT i Festivalit për Mentor Zymberaj me shfaqjen ARKA në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës MONO FEST në Kostanay, Kazskistan. Vlerësim i lartë artistik dhe nderim në piedestal nga artistët, ekspertët, mediat dhe shikuesit! GËZUAR”, ka shkruar Zymberaj në postimin e tij.

Ky vlerësim konsiderohet një arritje e madhe për artin dhe teatrin kosovar, pasi sjell një konfirmim të rëndësishëm në një festival ndërkombëtar dhe në një skenë ku konkurrenca është e gjerë.

Në të njëjtën kohë, suksesi merr edhe një simbolikë të veçantë, pasi Kosova shpërblehet me një çmim të tillë në një shtet që nuk e njeh pavarësinë e saj, duke e bërë triumfin e “Arkës” edhe më domethënës për përfaqësimin kulturor të vendit. /Telegrafi/