Më keq se Zvicra vetëm Bosnja: Kur bëhet fjalë për duhanin, shteti helvetik mbetet një “parajsë e nikotinës”

Kur vjen puna te kontrolli i duhanit dhe produkteve të nikotinës, Zvicra ka dështuar pothuajse plotësisht, duke u renditur në fund të listës evropiane. Në raportin e njohur “The Tobacco Control Scale”, shteti helvetik mban pozicionin e parafundit - vendin e 35-të nga 36 shtete të analizuara.
I vetmi vend në Evropë që performon më keq dhe ku pihet më shumë duhan pa kontroll se në Zvicër, është Bosnjë-Hercegovina. (Kosova dhe Shqipëria nuk janë përfshirë në këtë listë).
Vendet që udhëheqin për nga masat e rrepta të parandalimit të duhanit janë Irlanda, Mbretëria e Bashkuar dhe Holanda. Për ekspertët zviceranë të shëndetësisë, ky rezultat është thjesht “turpërues”, njofton gazeta “Tages Anzeiger”.
Ekspertët e organizatës “Sucht Schweiz” numërojnë disa arsye specifike se pse vendi ka mbetur kaq prapa me ligjet e parandalimit. Çmime të lira për xhepin zviceran: Nëse krahasohen me fuqinë blerëse dhe pagat e larta në Zvicër, cigaret dhe produktet e nikotinës janë jashtëzakonisht të lira.
Taksat mbi duhanin nuk janë rritur pothuajse fare në dhjetë vitet e fundit. Asnjë ndihmë nga sigurimet shëndetësore: Për dallim nga shtetet e tjera, sigurimet shëndetësore në Zvicër nuk i mbulojnë kostot e terapive apo produkteve që ndihmojnë njerëzit të lirohen nga varësia e duhanit.
Ndikimi i madh i industrisë: Koncerne gjigante ndërkombëtare të duhanit i kanë selitë e tyre në Zvicër. Këto firma kanë një rrjet të fuqishëm ndikimi te politikanët vendas, andaj në Zvicër nuk janë ndaluar plotësisht reklamat e duhanit.
Mjekët dhe sidomos pediatrit janë të alarmuar, veçanërisht për popullaritetin e madh që kanë marrë produktet e reja si “Vapes” (cigaret elektronike me aroma) apo qeskat e nikotinës (Snus) te adoleshentët. Truri i të rinjve është shumë më i ndjeshëm ndaj nikotinës, gjë që krijon varësi shumë më shpejt se te të rriturit.
Zvicra mbetet gjithashtu një nga vendet e pakta në botë që ende nuk e ka ratifikuar Konventën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Kontrollin e Duhanit të vitit 2005.
Përderisa shoqatat e parandalimit bëjnë thirrje urgjente për rritje taksash dhe ndalim reklamash duke paralajmëruar një “valë varësie”, lobet e duhanit mbrohen me idenë se ndalimet e plota vetëm sa do të rrisnin tregun e zi dhe kriminalitetin. Sidoqoftë, statistikat flasin vetë: Zvicra po ecën në një rrugë krejt tjetër nga Evropa, duke qëndruar më afër Ballkanit se sa fqinjëve të saj perëndimorë. /Telegrafi/











































