Policia Federale gjermane ka arrestuar gjatë një kontrolli kufitar në Rosenheim një 46-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se ka jetuar ilegalisht në Gjermani për rreth 11 vjet pa u zbuluar.

Sipas Policisë Federale të Rosenheimit, burri ishte fshehur që nga viti 2015 në rajonin administrativ të Bavarisë së Epërme (Oberbayern), duke përdorur një dokument identifikimi të falsifikuar, dhe kishte punuar atje.


Ai u vu re nga zyrtarët në një tren të linjave të gjata që vinte nga Verona. Gjatë kontrollit, 46-vjeçari fillimisht paraqiti një kartë identiteti greke, e cila u konstatua shpejt se ishte falsifikim i plotë. Udhëtimi i tij përfundoi në stacionin e Rosenheimit.

Pas verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve në komisariat, u zbulua identiteti i vërtetë: burri është shtetas shqiptar.

Mashtroi për vite me radhë institucionet

Policia Federale bën të ditur se ai e kishte siguruar dokumentin e falsifikuar në vitin 2015, pasi kërkesa e tij për azil në Gjermani ishte refuzuar përfundimisht. Me identitet të rremë, ai thuhet se ka mashtruar për vite me radhë autoritetet, bankat dhe një kompani sigurimi shëndetësor.

Ndaj tij tashmë po hetohet për tentativë hyrjeje të paligjshme, qëndrim të paligjshëm dhe falsifikim dokumentesh. Autoritetet kanë vendosur edhe ndalim hyrjeje dhe qëndrimi për katër vjet.

Dëbimi pritet të kryhet së shpejti. Shpenzimet e fluturimit për në Shqipëri do t’i mbulojë vetë 46-vjeçari; si garanci për biletat, ai ka depozituar paraprakisht 1.000 euro./DPA